Gara mes NATO-s dhe Rusisë ndan vendet ballkanike

20:40 | 31 Korrik 2019
Arbresh.info

Në Europën Juglindore po blihen armë si kurrë më parë, ndërsa tensionet mes etnive të armiqësuara po rriten.

Në të gjitha rastet Rusia ndërhyn me çdo mjet, duke e shtuar potencialin e konfliktit para dyerve të BE; lajmin e përcjell e përditshmja gjermane Die Welt, nën titullin “Garë e re e armatimi në Ballkan”.

Shtysën, artikulli e merr nga armatimet e dhuruara ndaj Serbisë prej Moskës. Rumania nuk lejoi që e ashtuquajtura “dhuratë e popullit rus për atë serb” të kalonte përmes territorit të saj: “dhjetë tanke me rrota të përdorura, por të modernizuar të tipit BRDM-2, 30 tanke luftarakë të modernizuar të tipit T-72 si dhe 30 automjete të blinduara”.

Ruset paskësaj i dërguan pastaj tanket në Serbi me avionë, “duke kaluar mbi hapësirën ajrore të Hungarisë, kryeministri i së cilës përpiqet gjithmonë për marrëdhënie të mira me Presidentin rus, thotë Die Welt.

Me përkrahjen ruse, “Serbia mbështetet në këtë mënyrë te një vend, që tregoi në Ukrainë vullnetin për ta zgjeruar zonën e vet të ndikimit me dhunë armësh”, shprehet autori, që kujton luftërat e ndërmarra prej serbëve në kohën e Slobodan Milosheviçit kundër Kroacisë dhe Kosovës, apo suportin që i dha ai serbëve të Bosnjës në konflikt.

Artikulli tërheq vëmendjen edhe tek fakti që Polonia po investon më shumë për armatimin, ndërsa Rumania i dyfishoi 2017-tën shpenzimet ushtarake. Në rajon, “në një kohë kur NATO…mbështetet para së gjithash te Shqipëria, Kosova dhe Kroacia, Rusia është përqendruar te Serbia dhe te…Republika Srpska”, shkruan ai.

Në shkrim thuhet më tej se për blerje armatimesh, në rajon, kryeson Serbia, e cila shpenzoi në vitin “2017…731 milionë dollarë”. Në vend të dytë, pasoi “Shqipëria me 168 milionë dollarë”.

Kosova parashikon të shpenzojë vitin e ardhshëm 98 milionë dollarë për ushtrinë, që ka planifikuar./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme