Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, aludoi më 30 shtator se shteti i tij po përgatitet për një ofensivë tokësore në Liban.
Duke folur me trupat e brigadës 188 të armatosur dhe të trupave të këmbësorisë Golani në kufirin verior, Gallant tha:
“Eliminimi i [Hassan] Nasrallahut është një hap shumë i rëndësishëm, por nuk është gjithçka. Ne do të përdorim të gjitha aftësitë që kemi”.
Ai iu referua vrasjes së udhëheqësit të Hezbollahut – grup militant dhe parti politike që kontrollon shumicën e Libanit jugor – më 27 shtator gjatë sulmeve në periferi të Bejrutit.
Gallant shtoi se “nëse dikush nga ana tjetër nuk e ka kuptuar se çfarë nënkuptojnë aftësitë, do të thotë të gjitha aftësitë dhe ju jeni pjesë e kësaj përpjekjeje”.
Izraeli së fundi ka intensifikuar sulmet në jug të Libanit, por edhe në Bejrut, duke vrarë disa komandantë të lartë të Hezbollahut.
Hezbollahu është organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërkaq Bashkimi Evropian e ka në listë së zezë krahun e tij të armatosur, por jo dhe partinë politike. Partia politike Hezbollah ka ulëse në Parlamentin libanez.
Po ashtu, Hezbollahu ka intensifikuar sulmet me raketa drejt Izraelit, por ushtria izraelite ka thënë se shumica e raketave janë rrëzuar nga mbrojtja ajrore.
Javën e kaluar, edhe shefi i ushtrisë izraelite aludoi se shteti mund të nisë një operacion tokësor në Liban.
Hezbollahu dhe Izraeli kanë këmbyer zjarr pothuajse në baza ditore përgjatë kufirit mes Izraelit dhe Libanit që kur ka nisur lufta në Gazë më 7 tetor 2023, mes Izraelit dhe Hamasit.
Ushtria izraelite ka thënë se sulmet e saj në Liban kanë për synim të degradojnë aftësitë e Hezbollahut./rel
Brazil/ Shembet ura, lumi kontaminohet me pesticide dhe acid...
Parashikimi i motit për sot
Marotta: Jemi skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë
Vullneti: Xheneta rrezikon të eliminohet këtë javë
Shpërthim në Prishtinë, lëndohen dy persona
Federata e Bodybuildingut zgjedhë më të mirët e vitit 2024