Grupi i Shtatë vendeve të industrializuara (G7) më 6 gusht dënoi sulmin ndaj një cisterne të naftës, që ndodhi javën e kaluar, duke thënë se të gjitha dëshmitë thonë se Irani qëndron pas incidentit.
Më 29 korrik, në sulmin ndaj cisternës së naftës Mercer Street u vranë një britanik dhe një rumun.
“Ne dënojmë sulmin e paligjshëm të kryer ndaj kësaj anijeje tregtare”, thanë përmes një deklarate të përbashkët ministrat e Jashtëm të Britanisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ky ishte një sulm i qëllimshëm dhe qartësisht shkelje e ligjit ndërkombëtar. Të gjitha të dhënat qartësisht thonë se Irani qëndron prapa këtij sulmi. Nuk ka asnjë justifikim për këtë sulm”, u tha në deklaratë.
Cisterna e naftës që u sulmua, menaxhohet nga një firmë që është në pronësi të një miliarderi nga Izraeli. Më herët Shtetet e Bashkuara dhe Britania po ashtu kanë fajësuar Teheranin për sulmin, por ky i fundit ka mohuar të gjitha akuzat.
G7 po ashtu tha se “sjellja e Iranit, së bashku me mbështetjen që u ofron fraksioneve të armatosura, kërcënojnë sigurinë dhe paqen ndërkombëtare”.
“Ne i bëjmë thirrje Iranit që të ndalë të gjitha aktivitetet që bien ndesh me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të kenë rol konstruktiv në arritjen e stabilitetit dhe paqes rajonale”, u tha në deklaratë.
Tensionet në Gjirin Persik janë rritur që prej se SHBA-ja rivendosi sanksionet ndaj Iranit më 2018, pasi presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja bërthamore e arritur më 2015 ndërmjet Teheranit dhe fuqive botërore./ rel
Rusia marrë propozime për të zhvilluar një takim mes Putin d...
100-vjetori i themelimit të Klubit të Futbollit Prishtina, K...
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok
Kurti nesër merr pjesë në përurimin e rrugëve Dragash-Brod d...
Përveç rezultateve negative, Manchester United i del një pro...