Fushata elektorale e presidentit Biden 50 milionë dollarë reklama; theksohet dënimi i ish-presidentit Trump

23:14 | 17 Qershor 2024
E.G

Ekipi elektoral i presidentit Joe Biden do të shpenzojë 50 milionë dollarë deri në fund të qershorit, me reklama televizive ku përfshihet dënimi për vepra penale i ish-presidentit Donald Trump. Kjo fushatë reklamash sinjalizon se presidenti demokrat do të synojë t’u kushtojë më shumë rëndësi sfidave ligjore të rivalit të tij republikan, ndërsa afrojnë zgjedhjet e nëntorit.

Ekipi elektoral i presidentit Biden tha të hënën se synon të shpalosë qartë dallimet mes dy kandidatëve, përpara debatit të tyre të parë publik që mbahet më 27 qershor në Atlanta.

Fushata përmban reklama që synojnë të fitojnë mbështetjen e votuesve afrikano-amerikanë, hispanikë dhe aziatiko-amerikanë, si dhe një vëmendje të veçantë për shpalljen fajtor të ish-presidentit Trump për 34 akuza penale në gjyqin në Nju Jork. Reklamat do të jepen në kanalet e përgjithshme televizive, ato kabllore, si dhe në platformat nëpërmjet internetit dhe atyre celulare në shtetet kryesore për betejën elektorale.

Krahas shpalljes fajtor të ish-presidentit Trump në gjyqin penal në Nju Jork, reklama e titulluar “Karakteri ka rëndësi” vë në dukje edhe se ai është shpallur fajtor për ngacmim seksual dhe mashtrim financiar në procese të tjera gjyqësore. Ish-presidenti Trump përballet me akuza të mëtejshme penale në tre procese të tjera gjyqësore, që nuk kanë gjasa të zhvillohen përpara zgjedhjeve të nëntorit.

“Në sallën e gjyqit, shohim Donald Trump-in real”, thuhet me zë përshkrues gjatë reklamës. Paraqiten në vazhdim fotografitë e ish-presidentit Trump gjatë regjistrimit në burgun e Xhorxhias, si dhe të presidentit Biden duke u përshëndetur me votuesit. “Këto zgjedhje janë mes një të dënuari për vepra penale që ka dalë vetëm për veten e tij dhe një presidenti që lufton për familjen tuaj”.

Presidenti Biden ka folur gjithashtu shpesh për shpalljen fajtor të ish-presidentit Trump dhe e ka kritikuar kur ai ka thënë se vendimi ka qenë i motivuar politikisht. Presidenti Biden thotë se “është e rrezikshme, e papërgjegjshme që dikush të thotë se u manipulua, vetëm sepse nuk i pëlqeu vendimi”.

Djali i presidentit Biden, Hunter Biden, u shpall fajtor në Dellauer për tre akuza penale në lidhje me blerjen e një pistolete në vitin 2018, për të cilën prokurorët thanë se gënjeu në formularët federalë duke deklaruar se nuk ishte përdorues droge. Presidenti ka thënë se do ta pranojë rezultatin dhe se “do të vazhdojë të respektojë procesin gjyqësorin ndërsa Hunter-i shqyrton mundësinë e apelimit”.

Një element qendror i strategjisë për rizgjedhje të presidentit Biden është vënia në dukje e politikave të propozuara nga ish-presidenti Trump për një mandat të dytë, duke mobilizuar kështu demokratët dhe votuesit e pavarur. Megjithatë, një fushatë reklamash që thekson dënimin e ish-presidentit Trump në një shkallë të tillë masive, sinjalizon për përpjekjet e rigjallëruara për t’i bërë çështje zgjedhore sfidat ligjore të ish-presidentit Trump – një strategji kjo për të cilën kishte nguruar deri më tani ekipi elektoral i presidentit Biden.

“Është një kontrast i thellë dhe që ka rëndësi të madhe për popullin amerikan”, tha zëdhënësi i fushatës elektorale të presidentit Biden, Michael Taylor. “Dhe kjo është arsyeja përse duhet të sigurohemi që çdo ditë t’u kujtojmë votuesve se Joe Biden-i po lufton për ta, ndërsa Donald Trump-i po bën një fushatë të fokusuar tek një person i vetëm: vetja e tij”.

Ish-presidenti Trump ka mohuar të ketë bërë ndonjë shkelje dhe thotë, pa ndonjë evidencë, se presidenti Biden apo zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë orkestruan për arsye politike procesin gjyqësor ndaj tij në Nju Jork. Ish-presidenti dhe aleatët e tij kanë ngritur mundësinë e kundërpërgjigjes me procese hetimore ndaj kundërshtarëve politikë kur ai të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Zëdhënësja e fushatës elektorale të ish-presidentit Trump, Karoline Leavitt tha se administrata e presidentit Biden “po përdor politikisht sistemin gjyqësor ndaj ish-presidentit Trump” dhe se kontrasti mes tij dhe presidentit Biden “do të jetë shumë i qartë në skenën e debatit”.

Gjatë fundjavës, ish-presidenti Donald Trump fajësoi emigrantët për marrjen e vendeve të punës dhe të burimeve të qeverisë, ndërsa mori pjesë në një aktivitet me grupe votuesish afrikano-amerikanë dhe grupe konservatore në shtetin e rëndësishëm zgjedhor, Miçiganin.

Por komentet e tij të forta për emigracionin e paligjshëm, që kanë qenë pjesë e hershme e mesazhit të tij publik, duket se shërbyen si një tematikë e përbashkët në Detroit, ndërsa u përpoq të ndërtonte një koalicion delikat mes një kishe afrikano-amerikane dhe një grupi që Lidhja Kundër Shpifjes e akuzon për lidhje me elementë të supremacisë së bardhë.

“Njerëzit që vijnë nga përtej kufirit – këta miliona njerëz – po i shkaktojnë dëm të jashtëzakonshëm popullsisë sonë afrikano-amerikane dhe popullsisë sonë hispanike”, u tha zoti Trump mijëra mbështetësve të mbledhur në një sallë të madhe.

Ish-presidenti republikan bëri gjithashtu disa pretendime pa paraqitur prova kundër sistemit amerikan të votimit.

“Duhet të vëzhgojmë votimin. Duhet të ruajmë votën”, tha ish-presidenti Trump. “Është shumë i korruptuar, i gjithë procesi zgjedhor”.

Një retorikë e tillë nuk duket se ka dëmtuar nivelin e mbështetjes së tij nga votuesit afrikano-amerikanë.

Ndër afrikano-amerikanët në moshë madhore, niveli i mbështetjes për presidentin Biden ka rënë nga 94% kur ai filloi mandatin e tij në janar 2021, në vetëm 55%, sipas një anketimi të muajit mars të Qendrës NORC për Studimin e Çështjeve Publike të agjencisë së lajmeve Associated Press.

Rreth 8 në 10 votues me ngjyrë kanë një opinion jo të favorshëm për zotin Trump, me afërsisht dy të tretat që thonë se kanë një pikëpamje “shumë të pafavorshme” për të, sipas një anketimi të po kësaj qendre të bërë në qershor.

Ish-presidenti Trump fitoi 8% të votave të afrikano-amerikanëve në vitin 2020, sipas AP VoteCast. Në një proces zgjedhor që pritet të ketë rezultat të ngushtë, edhe një ndryshim modest mund të ketë ndikim./voa/

Të ngjashme