Fundosja e “Costa Concordia”, lihet në fuqi dënimi i kapitenit

21:55 | 12 Maj 2017
Trina Galanxhi

Gjykata më e lartë e Italisë ka në fuqi dënimin me 16 vite burgim të kapitenit të anijes “Costa Concordia”, e cila u mbyt në vitin 2012 duke shkaktuar vdekjen e 32 personave në bord.

Francesco Schettino është vetëdorëzuar në burgun e Rebibbias në Romë, pas vendimit të gjykatës, sipas asaj që njofton avokati i tij mbrojtës. Schettino u dënua në vitin 2015, pasi një gjykatë më e ulët e shpalli atë fajtor për vrasje pa paramendim, duke shkaktuar një aksident detar dhe për braktisje të anijes.

Anija “Costa Concordia” u fundos pas goditjes së disa shkëmbinjve në ishullin Tuscan të Giglios.

Schettino u mbiquajt “kapiteni frikacak” nga mediet, pasi Rojet Bregdetare publikuan regjistrime të tij mbi një varkë shpëtimi, duke i rezistuar urdhrit për t’u rikthyer në anijen që po mbytej.

Më shumë se 4.000 persona ndodheshin në bord në atë moment, pas të cilit u bë e domosdoshme një evakuim kaotik. Prokurorët thanë se ai po lundronte shumë pranë brigjeve të ishullit, si një spektakël që po i dhuronte balerinës, Domnica Cemortan, e cila ishte me të në krye të anijes.

Megjithatë, ai ia vuri fajin problemeve në komunikim me timonierin indonezian.

Vendimi i gjykatës u mirëprit nga një avokat që përfaqësonte të afërmit e viktimave, të cilët u shprehën se më në fund u vendos drejtësi të paktën.

Dënimi përfshin 10 vite për vrasje, 5 për shkaktimin e mbytjes së anijes, një për braktisjen e anijes përpara se të evakuonte personat e tjerë në bord dhe ekuipazhin, si dhe një muaj për mashtrim të autoriteteve pas ngjarjes.

“Costa Crociere”, kompania që zotëronte anijen, shmangu akuzat e mundshme penale në vitin 2013 duke rënë dakord për të paguar një gjobë prej një milion eurosh. Veç Schettinos, edhe 5 kolegë të tjerë të tij u burgosën deri në 3 vite heqje lirie, në çështjet që janë shqyrtuar më herët.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme