Google ADS

Fundi i luftës larg horizontit, Zelensky kërkon sisteme të mbrojtjes ajrore

18:27 | 12 Tetor 2022
E.H

Përballë përshkallëzimit të luftës në Ukrainë, liderët perëndimorë po përpiqen të mbajnë një front të bashkuar.

Në takimin e G7 ata paralajmëruan presidentin Putin se nëse vijon me planet për armët bërthamore do të përballet me pasoja të rënda.

Presidenti Zelensky u kërkoi liderëve më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore si dhe një mision ndërkombëtar monitorimi në kufirin me Bjellorusinë.

Kombet e Bashkuara dhe NATO po ashtu paralajmëruan Moskën se mund të jetë duke kryer një krim lufte me sulmet e saj vdekjeprurëse të vazhdueshme ndaj objektivave civilë.

Që nga e hëna, afërsisht 30% e infrastrukturës energjetike të Ukrainës është goditur nga Rusia.

Në fjalimin e tij të mbrëmjes, Zelensky siguroi qytetarët, shumë prej të cilëve janë kthyer të fshihen në bodrume dhe të strehohen në stacionet e metrosë.

“Aty ku ka pasur shkatërrim, infrastruktura do të rinovohet kudo. Aty ku ka humbje, do të ketë ndërtime. Aty ku kishte ndonjë shpresë të armikut, do të ketë rrënoja ruse”,  u shpreh presidenti Zelensky

Në Shën Petersburg, Vladimir Putin dukej se ishte në humor të mirë teksa mirëpriti kreun e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, madje duke thënë se ishte i hapur për dialog për termocentralin e Zaporizhias.

“Ne jemi shumë të lumtur që ju shohim dhe jemi të gatshëm të diskutojmë të gjitha çështjet me interes të ndërsjellë ose shkak për shqetësim për shembull, në lidhje me situatën rreth termocentralit Zaporizhias”, u shpreh Putin

Por nuk ka asnjë indikacion që bisedimet për t’i dhënë fund luftës janë në horizont apo të paktën të ketë bisedime dypalëshe./euronews.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme