Pas sulmit ajror të Izraeli në Jemen në përgjigje të një sulmi me dron nga milicia pro-iraniane Huthi, të cilët shkaktuan të vrarë e të plagosur në të dyja vendet, shtohet frika për një përhapje të konfliktit në rajon.
Irani dhe Izraeli paralajmëruan për njëri-tjetrin. “Aventurizmi i rrezikshëm” i Izraelit mund të shkaktojë një luftë rajonale, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Naser Kanani, për agjencinë shtetërore të lajmeve Irna. Izraeli dhe mbështetësit e tij si SHBA-ja janë “drejtpërdrejt përgjegjës” për “pasojat e paparashikueshme dhe të rrezikshme” të luftës Izrael-Hamas dhe sulmet në Jemen.
Qeveria izraelite tha se bëhej fjalë për një luftë mbrojtëse kundër “boshtit terrorit” të Iranit. Tani është koha që “komuniteti ndërkombëtar të maksimizojë sanksionet kundër Iranit”, kërkoi Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz në një mesazh në platformën X. Irani mbështet, trajnon dhe financon milicët Huthi si “pjesë e rrjetit të tij rajonal të organizatave terroriste “që duan të sulmojnë Izraelin”.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres tha se është “thellësisht i shqetësuar për rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm në rajon”. Nga Nju-Jorku ai bëri thirrje për “përmbajtje maksimale”.
Të vrarë e të plagosur në të dyja vendet
Operacioni ushtarak në Jemen ishte përgjigja “për qindra sulme ndaj Izraelit në muajt e fundit”, njoftoi ushtria izraelite. Prej goditjes të një droni ushtarak që vinte nga Jemeni, në Tel Aviv u vra një burrë dhe u plagosën të paktën tetë vetë. Droni me rreze të gjatë veprimi, i cili qe i i ngarkuar me eksploziv, goditi një ndërtesë banimi në qendër të metropolit bregdetar izraelit.
Po ashtu ushtria izraelite konfirmoi se kishte sulmuar objektiva ushtarake të milicisë Huthi në portin e qytetit perëndimor të Jemenit, Hudaida. Sipas njoftimeve të stacionit televiziv Al-Masirah, i cili u referohet të dhënave të autoriteteve vendase, prej sulmit izraelit pati të paktën tre të vdekur dhe 87 të plagosur. Edhe një zëdhënës i milicëve Huthinjoftoi për një sulm izraelit kundër “objekteve civile” në Jemen, si impiante nafte dhe elektriciteti. Në pamjet e transmetuara në televizion shihen zjarre të mëdha.
Mbështetje nga SHBA-ja
Një zëdhënës i Pentagonit tha se ministri amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin bisedoi gjatë natës me kolegun e tij izraelit, Joav Galant, lidhur reagimin e Izraelit ndaj sulmit me dron të milicisë Huthi në Tel Aviv. Austin përsëriti “angazhimin e hekurt të Shteteve të Bashkuara për sigurinë e Izraelit dhe të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje”./dw
Barcelona në rrugë të mirë për ta transferuar Jonathan Tah v...
I gjithë Ferizaj në terr, Aliu: Kjo është e pashembullt
Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e nj...
Roshi flet për tërhiqjen nga kombëtarja: Nuk u ftova një vit...
Të shtëna me armë zjarri në Durrës
Lista Serbe pasi PZAP ia aprovoi ankesën: Mbetet të shihet n...