Shtetin nuk mund ta tërheqësh për hunde, tha senatori i Brendshëm Geisel. Senati e arsyetoi vendimin e tij me faktin se priten shkelje të mbrojtjes nga infektimi.
Në Berlin nuk do të lejohen të zhvillohen gjatë fundjavës disa demonstrata kundër masave për Coronan të vendosura nga qeveria. Këtë e njoftoi të mërkurën Senati i Berlinit. Autoriteti kompetent për mbledhjet e manifestimet i justifikoi ndalimet kryesisht me faktin se grupi i pritur i pjesëmarrësve do të shkelte rregulloren aktuale për mbrojtjen nga infektimi.
Kërkesa të posaçme, si mbajtja e maskës në gojë dhe në hundë, nuk janë të mjaftueshme për takimet e lajmëruara. Manifestimet në fillim të të gushtit kishin treguar “se pjesëmarrësit nuk i morën parasysh me qëllim rregullat ekzistuese të higjienës dhe kufizimet përkatëse”.
Senatori i Brendshëm i Berlinit, Andreas Geisel, e përshëndeti vendimin: “Ky nuk është një vendim kundër lirisë së mbledhjes, por një vendim për mbrojtje nga infektimi”, tha ai. Duhet të vendoset një ekuilibër midis të drejtës themelore të lirisë së mbledhjes dhe paprekshmërisë së integritetit të jetës. “Ne vendosëm për jetën,” tha Geiseli. Organizatorët e demonstratës në fillim të gushtit i injoruan me qëllim rregullat e pranuara më parë për mbrojtjen nga infektimi. “Shtetin nuk mund ta tërheqësh për hunde,” tha Geiseli në njoftimin për shtyp.
Veç kësaj, senatori i Brendshëm i Berlinit njoftoi se nuk do të lejohet as një kamp me çadra. Sipas mendimit të autoritetit të mbledhjeve, nuk ekziston në këtë rast “karakteristika e mbledhjes”, pasi kampet me çadra “përdoren kryesisht për të kaluar natën”. Autoriteti bazohet në një vendim të Gjykatës së Lartë Administrative të Berlinit-Brandenburgut.
Më 1 gusht, rreth 20,000 vetë demonstruan kundër masave shtetërore kundër Coronas në Berlin. Detyrimet e higjienës nuk u morën parasysh qëllimisht. Përveç mohuesve të Coronas dhe kundërshtarëve radikalë të vaksinimit, në manifestim qenë të pranishëm shumë pjesëmarrës me flamuj qartësisht të krahut të djathtë ose me bluza të tilla.
Ngjarjet e rreth tri javëve më parë hapën një diskutim në lidhje me një qasje më të ashpër ndaj formave të tilla të protestës në kohën e pandemisë. Berlini tashmë ka ndaluar në të kaluarën dy mitingje të ideologut të teorive konspirative Attila Hildmann, sepse ai po hetohet për nxitje të urrejtjes dhe kërcënimeve. Edhe gjatë demonstratave të tij kishte pasur shkelje të kërkesave të tilla si të detyrimit për të mbajtur maskë dhe të respektimit të distancave minimale.
Këtë të shtunë qenë planifikuar demonstrata të reja. Pjesëmarrësit donin të marshonin nëpër zonën Berlin-Mitte nën moton “Të mblidhemi për lirinë” dhe të mblidheshin pasdite në Rrugën e 17 qershorit. Policinë e kishin njoftuar për 17.000 pjesëmarrës në demonstratë. Manifestimi pasues qe lajmëruar nga nisma Stuttgart Querdenken 711 (jo konfirmistët) – me 22.500 pjesëmarrës./DW/
Begaj mbyll takimet për datën e zgjedhjeve: Opinionet udhëhi...
Ukraina thotë se goditi një depo nafte dhe objektiva të tjer...
Lushtaku viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Do të kthehen ...
Incidenti në Kuvendin e Serbisë, Kamberi: Motoja “Duar...
Krasniqi: Arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e V...
“Ai është një i papenduar” – për kë po diskutojnë Rovena dhe...