Francë, të mërkurën mbahet votimi për mocionin e mosbesimit

13:06 | 3 Dhjetor 2024
K.B

Parlamenti francez do të votojë pasditen e së mërkurës për një mocion mosbesimi që mund të rrëzojë qeverinë, sipas raporteve të mediave franceze duke cituar një zyrtar parlamentar.

Të mërkurën në orën 16:00, deputetët në Asamblenë Kombëtare Franceze pritet të debatojnë për mocionet e mosbesimit të paraqitura të hënën, pasi kryeministri Michel Barnier përdori një manovër kushtetuese për të anashkaluar parlamentin dhe për të shtyrë një projekt-ligj të sigurimeve shoqërore.

Barnier ka të ngjarë ta humbasë pasi koalicioni i krahut të majtë i Frontit të Ri Popullor dhe Fronti Kombëtar kanë shumicën në parlament.

Rrëzimi i Barnier dhe kabinetit të tij kërcënon të thellojë krizën politike në Paris dhe të ngrejë frikën në të gjithë BE se Franca është bërë e paqeverisshme, e rënduar nga një deficit buxhetor në rritje.

Nëse Barnier humbet votën, siç pritet, ai do të bëhet kryeministri me mandatin më të shkurtër në historinë moderne franceze./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme