Francë, rritet në 1.696 numri i të vdekurve nga koronavirusi

23:41 | 26 Mars 2020
Arbresh.info

Numri i të vdekurve në Francë nga koronavirusi i ri (COVID-19) ka shkuar në 1.696, pasi 365 persona kanë humbur jetën nga sëmundja në 24 orët e fundit, njoftoi ministri francez i Shëndetësisë, Jerome Salomon, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, Salomon tha se numri i rasteve me virusin në vend është rritur në 29.155 me 3.922 të infektuar të rinj.

Ai tha se 3.375 pacientë aktualisht po trajtohen nën kujdes intensiv, ndërsa 4.948 pacientë janë shëruar deri më tani.

Salomon po ashtu njoftoi se në mesin e të vdekurve gjendet edhe një i mitur 16-vjeçar nga rajoni Ile-de-France, ku bën pjesë dhe kryeqyteti Paris.

Me 365 viktima, Franca sot arriti rekord me numrin më të lartë të vdekjeve në vend brenda një dite.

Ndërkohë, sindikata policore Alternatif njoftoi se 257 policë kanë rezultuar pozitivë në testin për koronavirusin, ndërsa 10.131 pjesëtarë të policisë po mbahen në karantinë.

Policët, të cilët po monitorojnë kufizimin e lëvizjes së lirë në vend, së fundmi kanë reaguar ndaj mungesës së maskave.

Instituti Kombëtar i Statistikave dhe Punëve Ekonomike (INSEE) ka njoftuar se kufizimi i lëvizjes në vend si pasojë e koronavirusit ka shkaktuar ulje për 35 për qind të aktiviteteve ekonomike në Francë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme