Forca paqeruajtëse e Bashkimit Evropian në Bosnje (EUFOR) tha të shtunën se Franca do të kryejë stërvitje ajrore me avionë të shpejtë në Bosnje në kushtet e përkeqësimit të situatës së sigurisë në nivel ndërkombëtar.
BE-ja vendosi këtë javë të rrisë numrin e forcave të EUFOR-it nga 600 në 1,100, duke dërguar trupa rezervë nga Austria, Bullgaria, Rumania dhe Sllovakia për të shmangur paqëndrueshmërinë e mundshme pas sulmit rus ndaj Ukrainës.
Një pjesë e tyre kanë mbërritur tashmë në vend.
Bosnja ndodhet mbi 1,000 kilometra larg luftimeve, por ajo po përballet me një lëvizje separatiste nga serbët e Bosnjës që analistët thonë se ka të paktën mbështetje të heshtur nga Moska.
“Aeroplanmbajtësja Charles de Gaulle aktualisht po kryen trajnime operacionale në Detin Mesdhe dhe, nga e hëna më 7 mars, avioni i saj Rafale do të kryejë fluturime mbi Ballkanin Perëndimor përfshirë Bosnje-Hercegovinën,” tha EUFOR-i.
Zyrtarët e lartë të NATO-s dhe BE-së kanë paralajmëruar se paqëndrueshmëria nga lufta në Ukrainë mund të përhapet në Ballkanin Perëndimor, Moldavi dhe Gjeorgji.
Bosnja, ashtu si Ukraina, ka thënë prej kohësh se dëshiron të anëtarësohet në NATO – një pozicion që ka zemëruar Rusinë. Moska tha në mars të vitit të kaluar se do të reagonte nëse Bosnja do të ndërmerrte hapa drejt anëtarësimit në aleancën ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
Serbët e Bosnjës, të udhëhequr nga pro-rusi Milorad Dodik, duan që vendi të mbetet neutral dhe të qëndrojë jashtë NATO-s.
Anëtari serb i presidencës trepalëshe të vendit, ka shkaktuar krizën më të rëndë politike të Bosnjës që nga fundi i luftës në vitet 1990, duke sfiduar institucionet shtetërore si pjesë e përpjekjes të vazhdueshme të serbëve për t’u shkëputur dhe për t’u bashkuar me Serbinë fqinjë.
EUFOR-i, i cili zëvendësoi trupat paqeruajtëse të NATO-s në Bosnje në vitin 2004, përbëhet nga rreth 3,500 trupa – 600 prej tyre aktualisht të dislokuar në vend./VoA/
Rritet çmimi i gazit dhe elektricitetit në Britani/ Inflacio...
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë pa...
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Një i lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...
Policia del me njoftim për aksidentet e ndodhura për shkak t...