Duket se periudha e lulëzimit të vreshtave në Francë ka përfunduar. Ky vend, që përbën 11% të sipërfaqeve me vreshta në të gjithë botën, ka vendosur të çrrënjosë rreth 30 mijë hektarë vreshta nga rreth 800 mijë që ka. Arsyet kryesore janë afarizmi i dobët i produkteve të verës franceze në botë, por edhe në Francë, transmeton Radio Kosova.
Vreshtarët dhe prodhuesit francezë të verës kanë shënuar humbje nga rënia e konsumit dhe e shitjes së verës për vite me radhë.
Nga njëra anë, shijet po ndryshojnë: të rinjtë francezë po pinë gjithnjë e më shpesh birrë në vend të verës së kuqe. Gjithashtu, eksportet e verës franceze në SHBA dhe Kinë janë në rënie, ndërsa vreshtarët francezë flasin për dëmet që po pësojnë nga ndryshimet klimatike.
Veçanërisht në jugperëndim të Francës, shumë vreshta kanë mbetur djerrinë, sepse kultivimi i rrushit nuk ia vlen më, duke pasur parasysh çmimet e ulëta të verës në fuçi dhe kërkesën në rënie. Kërkesa globale për verë është në rënie të vazhdueshme dhe ka arritur nivelin më të ulët në 60 vitet e fundit.
Të ndodhur përballë këtyre sfidave, shteti francez ka vendosur të mbështesë ata vreshtarë që dëshirojnë t’i prishin dhe t’i çmbjellin vreshtat. Për këtë qëllim, pas kërkesës së bërë në BE, Komisioni Evropian ka ndarë 120 milionë euro për të subvencionuar me nga 4000 euro për hektar çdo vreshtar që dëshiron të çrrënjosë vreshtën e tij. Toka e pastruar nga hardhitë e rrushit nuk guxon të mbillet përsëri me vreshta për së paku gjashtë vjet.
Subvencionet për shkatërrimin e vreshtave jepen vetëm deri më 31 dhjetor 2024, kështu që vreshtarët që duan të çrrënjosin vreshtin e tyre duhet të aplikojnë këtë vit përmes një procesi online nga mesi i tetorit. Më pas, sipërfaqja e vreshtit duhet të pastrohet nga hardhitë deri më 15 maj 2025, raporton “Vitisphere”.
Franca është prodhuesi më i madh i verës në botë. Sipas agjencisë “Bloomberg”, ndihma e BE-së për zvoglimin e hektarëve me vreshta në Francë jepet në përputhje me nenet 107 deri në 109 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian, të cilat përcaktojnë rregullat për ndihmën shtetërore në shtetet anëtare.
Me miratimin e Komisionit Evropian, në fund të vitit 2023, Franca kishte çrrënjosur 8,000 hektarë vreshta në zonën e Bordeaux. Zyrtarisht thuhej se bëhej fjalë për luftimin e dëmtuesve.
Sipas këtyre trendeve, këtë vit, Franca ka të ngjarë t’i dorëzojë Italisë titullin e prodhuesit më të madh të verërave në botë.
Vjelja e rrushit këtë vit në Francë, sipas AFP-së, pritet të jetë 39.3 milionë hektolitra, që i bie 18% më pak se në vitin 2023. Edhe në Itali, gjërat nuk shkuan mirë në krahasim me mesataren e viteve të mëparshme, por vreshtaria atje u rikuperua disi nga situata katastrofike./rtk
Gjimshiti triumfon ndaj Ismajlit, Atalanta rikthehet në krye...
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë...
Llapi ndahet me stafin e trajnerëve
Kurti: Pasaporta e Kosovës në top 10 pasaportat e botës që k...
Ligje të rëndësishme rrezikojnë të kthehen në pikën zero
“U dje kish nis”, videoja që nxjerr produksionin zbuluar – b...