Franca raporton 16 mijë raste të reja nga coronavirusi

09:15 | 25 Shtator 2020
A. B.

Franca raportoi të enjten 16 mijë raste të reja nga coronavirusi, shifër kjo rekorde që kur vendi u përball me pandeminë.

Sipas medieve të huaja numri i përgjithshëm i të prekurve në vend u rrit në 536 mijë, ndërsa deri më tani kanë ndërruar jetë 31 mijë persona.

Kabineti i presidentit francez, Emmanuel Macron, njoftoi të mërkurën një seri masash të reja për ta ngadalësuar përhapjen e coronavirusit, përfshirë mbylljen e të gjitha bareve dhe restoranteve në Marsejë.

Ndërkohë, zyrtarët evropianë të shëndetësisë u kërkuan të enjten në Bruksel vendeve anëtare të ndërmarrin hapa për të kontrolluar përhapjen e coronavirusit në vendet e tyre për të parandaluar rikthimin e masave të izolimit, të cilat ata i konsideruan shkatërruese për ekonominë.

Ata thanë se me afrimin e motit të ftohtë është e nevojshme të shmanget një epidemi gripi në të njëjtën kohë me coronavirusin.

Paralajmërimet vijnë ndërsa pjesa më e madhe e Evropës po sheh një rritje të rasteve me COVID-19 dhe një raund të ri masash kufizuese që synojnë ndalimin ose të paktën ngadalësimin e përhapjes së infeksionit. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme