Franca premtoi ndihmë ushtarake shtesë për Ukrainën të dielën, duke përfshirë tanke, automjete të blinduara, trajnime për ushtarët dhe ndihma të tjera, në kohën kur ushtria uukrainase po përgatiten për një kundërsulm kundër forcave ruse.
Ky lajm u bë i ditur pas bisedimeve të papritura në Paris midis dy liderëve.
Volodymyr Zelensky i Ukrainës dhe Emmanuel Macron i Francës u takuan përreth tre orë në Pallatin presidencial francez Elysee – një takim që u mbajt i fshehtë deri pak para mbërritjes së liderit ukrainas në Paris nga Gjermania, me një avion të qeverisë franceze.
Ndihma ushtarake për Ukrainën ishte një nga pikat kryesore të agjendës së takimit mes liderëve.
Zyra e Macron tha se Franca do të furnizojë dhjetëra tanke të lehta dhe automjete të blinduara “në javët në vijim”, pa dhënë numra specifikë. Gjithashtu u premtuan më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, por përsëri detajet nuk u bënë publike.
Franca synon të trajnojë rreth 2,000 ushtarë ukrainas në Francë këtë vit dhe gati 4,000 të tjerë në Poloni si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë evropiane për t’i dhënë ndihmë Ukrainës, tha zyra e Macron.
Në një deklaratë, Franca e përshkroi mbështetjen e saj për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës si “të palëkundur” dhe premtoi se ndihma e saj politike, ekonomike, humanitare dhe ushtarake do të vazhdojë “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Në një postim në Twitter pas mbërritjes së tij, Zelensky tha: “Me çdo vizitë, aftësitë mbrojtëse dhe sulmuese të Ukrainës po zgjerohen. Lidhjet me Evropën po forcohen dhe presioni ndaj Rusisë po rritet”.
Franca e ka furnizuar Ukrainën me një sërë armatimesh, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore, tanke të lehta, armë të tjera, pajisje dhe karburante.
Franca dërgoi një aeroplan për të marrë Zelenskyn në Gjermani, prej ku ai u takua me kancelarin Olaf Scholz më herët të dielën dhe diskutoi kundërsulmin e planifikuar të vendit të tij.
Zelensky tha se synon të çlirojë zonat e pushtuara nga Rusia brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës dhe jo të sulmojë territorin rus.
“Ne nuk sulmojmë territorin rus, ne çlirojmë territorin tonë legjitim”, citohet të ketë thënë Zelensky pas disa raportimeve se ai ka konsideruar të sulmojë dhe pushtojë territore ruse, një lëvizje për të cilën është aluduar se ai mund ta përdorë si kartë për bisedime paqeje me Rusinë.
“Ne nuk kemi as kohë dhe as fuqi [për të sulmuar Rusinë]”, tha ai.
“Ne po përgatisim një kundërsulm për zonat e pushtuara ilegalisht, bazuar në kufijtë tanë legjitimë të përcaktuar me Kushtetutë, të cilët njihen ndërkombëtarisht”, tha Zelensky.
Ndër zonat e pushtuara ende nga Rusia janë gadishulli i Krimesë dhe pjesë të Ukrainës lindore, me popullsi kryesisht rusishtfolëse./rel
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...