Kryediplomatja e Francës i bëri thirrje Pekinit që të jetë vigjilent dhe të mos i ofrojë mbështetje direkte dhe indirekte Rusisë në luftës e saj në Ukrainë.
Catherine Colonna i bëri këto komente gjatë përmbylljes së vizitës së saj në Kinë më 24 nëntor. Ajo u takua me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi. Parisi tha se kjo vizitë kishte për synim të përqendrohej në thellimin e këmbimeve mes dy shteteve, por po ashtu do të dominohej në ngjarjet aktuale botërore sikurse konflikti në Ukrainë dhe lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Ne duam të kemi një dialog të mirëfilltë me Kinën për çështjet globale, por po ashtu edhe për krizat kryesore”, tha Colonna gjatë konferencës për media në Pekin pas takimit me Wang.
Ajo tha se Franca “llogarit në vigjilencën” e autoriteteve kineze që të sigurohen që asgjë në Kinë “nuk do të kontribuojë në mënyrë direkte apo indirekte në përpjekjet e luftës ilegale të Rusisë”.
Kina ka refuzuar që ta dënojë pushtimin rus të Ukrainës dhe ka thelluar bashkëpunimin e saj ekonomik, diplomatik dhe ushtarak me Moskën, që nga nisja e luftës në shkurt të vitit 2022.
SHBA-ja ka thënë se është e vetëdijshme që kompanitë kineze kanë ndihmuar pushtimin rus të Ukrainës, duke i bërë thirrje Pekinit që të ndalojë diçka të tillë.
Por, Colonna tha të premten se ajo nuk kishte “dilema” për “aftësinë e Kinës që të dëgjojë mesazhin e komunitetit ndërkombëtar që plotësisht të respektojë parimet themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara”.
Ndërkaq, Wang tha në konferencën për media se Kina “ka raporte normale dhe miqësore” me Rusinë dhe Iranin, por edhe me shumë shtete të tjera.
“Sa i përket çështjeve ndërkombëtare dhe rajonale, Kina gjithmonë ka mbajtur një pozicion objektiv dhe të paanshëm, gjithmonë ka respektuar normat e raporteve ndërkombëtare dhe gjithmonë ka zgjidhur mosmarrëveshjet dhe dallimet përmes dialogut dhe konsultimeve dhe insiston në mbajtjen e paqes botërore dhe stabilitetit”, tha ai.
Kryediplomatja e Francës tha se bashkëpunimi me Kinën është thelbësor për të promovuar paqe të qëndrueshme dhe inkurajoi Pekinin të vazhdojë të punojë në propozimin e tij për paqe në Ukrainë./REL/
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...
Sveçla: Grupet terroriste sponsorizohen nga Serbia
Shefi i EULEX-it: E dënojmë sulmin në Ibër Lepenc, autorët d...