Google ADS

Franca i jep fund izolimit të tretë, ja të gjitha lehtësimet për qytetarët

20:00 | 3 Maj 2021
A. B.

Fëmijët francezë iu janë kthyer klasave nëpër shkolla dhe ndalesa për udhëtim brenda shtetit është hequr, ndërkohë që autoritetet lehtësojnë masat e izolimit të tretë, të vëna me qëllim të luftimit të pandemisë.

Qytetarët tani mund të udhëtojnë më larg se 10 kilometra larg shtëpisë dhe mund të shkojnë kudo nëpër Francë. Ata po ashtu nuk do të kenë nevojë të mbajnë me vete arsyetim për udhëtim.

Izolimi i tretë, që ka nisur së zbatuari nga muaji mars, ka qenë më i lehtë sesa dy izolimet e para. Megjithatë, ora policore do të vazhdojë të zbatohet. Sipas planit qeveritar, faza e ardhshme e lehtësimit të masave do të nisë më 19 maj.

Atëherë ora policore do të nisë në orën 21:00 për dallim nga 19:00 sa është tani, do të hapen ambientet e jashtme të restoranteve dhe spektatorët do të mund të kthehen në salla të sportit. Franca aktualisht është duke regjistruar rreth 25,000 raste të të infektuarve në ditë, derisa numri i pacientëve në kujdes intensiv ka rënë në 5,600. Prej shpërthimit të pandemisë, autoritetet franceze kanë regjistruar 104,800 viktima me koronavirus.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme