Franca dyfishon sigurinë kufitare

16:25 | 5 Nëntor 2020
Arbresh.info

Franca ka dyfishuar sigurinë kufitare për shkak të sulmeve terroriste në rritje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti francez, Emmanuel Macron në rajonin kufitar Pyrenees-Orientales mes Francës dhe Spanjës ku ndodhej për të inspektuar kontrollin kufitar tha se kanë dyfishuar sigurinë në kufij në kuadër të luftës kundër kërcënimit nga terrorizmi, kundër trafikimit dhe migracionit të paligjshëm.

“Në kuadër të kësaj, numri i forcave të pjesëtarëve të sigurisë në kufi nga 2.400 u rrit në 4.800”, tha Macron duke shpjeguar se ky vendim u mor për shkak të rritjes së kërcënimit të terrorizmit në vend.

Ai më tej tha se autorët e akteve terroriste janë persona që kanë hyrë në vend nëpërmjet pikave të kalimit të refugjatëve.

“Në muajin dhjetor do të paraqesim propozim në këtë drejtim në Samitin e Liderëve të Bashkimit Evropian”, deklaroi Macron i cili shtoi se janë pro që të shqyrtohen “thellësisht” kontrollet e kufijve në zonën Schengen.

Më 29 tetor në kishën Notre Dame në qytetin Nice në juglindje të Francës u krye një sulm me thikë ku humbën jetën 3 persona dhe u plagosën shumë të tjerë.

Pas sulmit plani i luftës kundër terrorizmit në të gjithë vendin u vendos në nivelin e “sulmit emergjent”.

Jean-François Ricard, prokurori i anti-terrorizmit në Francë, njoftoi se agresori ishte një 21 vjeçar tunizian dhe se ai kishte mbërritur në Francë më 9 tetor duke hyrë më 20 shtator nga ishulli Lampedusa i Italisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme