Google ADS

Franca dhe Belgjika përkrahin kërkesën për fletarrestime ndaj liderëve të Izraelit dhe Hamasit

12:42 | 21 Maj 2024
D.H

Franca dhe Belgjika kanë thënë të martën se e mbështesin kërkesën e kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), për lëshimin e fletarrestimeve për liderët e Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ministria e Jashtme e Francës tha se e “mbështet Gjykatën Ndërkombëtare Penale, pavarësinë e saj, dhe luftën kundër mosndëshkueshmërisë në të gjitha situatat”.

“Krimet e kryera në Gazë duhet të ndiqen penalisht patjetër në nivelet më të larta, pavarësisht se kush është kryerësi”, tha ministrja e Jashtme e Belgjikës, Hadja Lahbib.

Kryeprokurori i GJNP-së, Karim Khan, tha të hënën se beson se Netanyahu, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe tre liderë të Hamasit – Yehia Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh – janë përgjegjës për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe në Izrael, së paku nga 7 tetori 2023.

Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi, e kanë dënuar kërkesën e Khanit për fletarrestime kundër liderëve të tyre.

Ndërkohë, presidenti amerikan, Joe Biden, e denoncoi kërkesën e kryeprokurorit për të arrestuar Netanyahun dhe Gallantin, duke thënë se “çfarëdo që ka dashur të thotë prokurori, nuk ka asnjë paralelizëm mes Izraelit dhe Hamasit.”

Prokurori duhet të kërkojë lëshimin e fletarrestimeve nga një panel prej tre gjyqtarësh, të cilëve mund t’iu duhen deri në dy muaj kohë për t’i shqyrtuar provat dhe për të vendosur nëse mund të procedohet.

Zëdhënësi i GJNP-së, Fadi Al-Abdallah, i tha Radios Evropa e Lirë se gjykatësit do të “marrin vendimin e tyre brenda afateve”, por nuk specifikoi ndonjë datë.

Të martën më herët, forcat izraelite e kryen një operacion kundër një bastioni militant në Bregun e uzurpuar Perëndimor, duke i vrarë së paku shtatë palestinezë, përfshirë një mjek, sipas autoriteteve lokale.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj goditën militantët gjatë një operacioni në Xhenin, një qytet në veri të Bregut Perëndimor. Ky qytet, së bashku me një kamp refugjatësh ngjitur, kanë qenë për kohë të gjatë bastion i luftës së armatosur kundër Izraelit.

Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Lufta izraelite i ka vrarë më shumë se 35.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve të Hamasit.

Por, lufta izraelite ka shkaktuar edhe krizë humanitare në Gazë, duke bërë që rreth 80 për qind e popullsisë të zhvendoset dhe qindra mijëra njerëz të vuajnë nga uria, sipas zyrtarëve të OKB-së./rel

Të ngjashme