Forcat Izraelite, që veprojnë në Bregun e uzurpuar Perëndimor, i kanë vrarë së paku tetë palestinezë në 24 orët e fundit, thanë të dielën zyrtarët shëndetësorë palestinezë.
Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur dukshëm pas sulmit të Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – më 7 tetor në Izrael, e cila e nxiti një luftë shkatërruese në Rripin e Gazës.
Forcat izraelite i kanë vrarë dhjetëra palestinezë dhe i kanë arrestuar qindra të tjerë në Bregun Perëndimor. Ardhësit hebre në Bregun Perëndimor i kanë shpeshtuar sulmet, po ashtu.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se pesë palestinezë u vranë në bastionin militant, Xhenin, derisa tre të tjerë u vranë në zona të ndryshme të Bregut Perëndimor prej mëngjesit të së shtunës.
Njëri nga të vrarët, në qendër të Bregut Perëndimor, ishte adoleshent, sipas kësaj Ministrie.
Ushtria e Izraelit tha se i vrau pesë palestinezë në një betejë me armë zjarri gjatë operacionit të saj në kampin e refugjatëve Xhenin, ku kishte shkuar për ta arrestuar një të dyshuar palestinez për gjoja vrasjen e një babai dhe djali në një autolarje në Bregun Perëndimor në fillim të këtij viti.
Ushtria tha se palestinezët e vrarë ishin militantë, por deri tani asnjë grup militant nuk ka thënë se ata ishin pjesëtarë të tyre.
Dhuna e përshkallëzuar në këtë vend vjen pas një viti bastisjesh së mëdha dhe arrestimesh në Bregun Perëndimor dhe sulmesh vdekjeprurëse palestineze ndaj izraelitëve.
Para sulmit të Hamasit në Izrael, viti 2023 ishte më vdekjeprurësi për palestinezët në Bregun Perëndimor në dy dekadat e fundit.
Izraeli dhe Hamasi i kanë ndaluar luftimet shkurtimisht për të lejuar futjen e më shumë ndihmave humanitare në Rripin e Gazës dhe për ta mundësuar këmbimin e pengjeve izraelite me të burgosurit palestinezë që mbahen nga Izraeli.
Lufta shpërtheu më 7 tetor, kur luftëtarët e Hamasit në Gazë i thyen barrierat kufitare dhe u futën në jug të Izraelit, duke i vrarë së paku 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 240 të tjerë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.
Izraeli shpalli gjendje lufte menjëherë, duke kryer bombardime disa javore dhe duke e nisur një ofensivë tokësore, si pasojë e të cilave u vranë mbi 13.300 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi. Rreth dy të tretat e të vrarëve në Gazë ishin gra dhe të mitur.
Izraeli i ka uzurpuar Bregun Perëndimor, bashkë me Rripin e Gazës dhe Jerusalemin lindor në luftën e vitit 1967. Palestinezët kërkojnë kthimin e këtyre territoreve si pjesë e një shteti të pavarur që shpresojnë ta kenë./rel
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës
Ngritet aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të forcave serbe për...
Xheneta- Gjestit: A të kujtohet puthja jonë e parë?
Salah i lumtur që futet në historinë e Liverpoolit
Sot nënshkruhen marrëveshjet për certifikim të produkteve
Putin takohet me kryeministrin sllovak në Moskë, bisedojnë p...