Forcat izraelite e kryen një operacion kundër një bastioni militant në Bregun e uzurpuar Perëndimor të martën, duke i vrarë së paku shtatë palestinezë, përfshirë një mjek, sipas autoriteteve lokale.
Ushtria izraelite tha se forcat e saj goditën militantët gjatë një operacioni në Xhenin, një qytet në veri të Bregut Perëndimor. Ky qytet, së bashku me një kamp refugjatësh ngjitur, kanë qenë për kohë të gjatë bastion i luftës së armatosur kundër Izraelit.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se, së paku shtatë palestinezë u vranë dhe nëntë të tjerë u plagosën. Identiteti i tyre nuk u bë i ditur menjëherë.
Grupi militant palestinez Islamic Jihad tha se luftëtarët e tij u përleshën me forcat izraelite.
Megjithatë, sipas Wissam Abu Baker, drejtor i spitalit qeveritar në Xhenin, kirurgu specialist i kësaj qendre mjekësore, Ossayed Kamal Jabareen, ishte në mesin e të vdekurve.
Ai u vra rrugës duke shkuar në vendin e punës, tha Abu Baker.
Xhenini, i cili shihet si bastion i militantëve, ka qenë cak i sulmeve të shpeshta izraelite, shumë kohë para se të niste lufta e Izraelit kundër Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – në Rripin e Gazës.
Lufta në Gazë nisi pas sulmit vdekjeprurës nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor.
Gati 500 palestinezë janë vrarë nga luftimet në Bregun Perëndimor, shumica e të cilëve militantë, si dhe të tjerë që kanë hedhur gurë, apo mjete shpërthyese ndaj trupave izraelite. Por, janë vrarë edhe të tjerë që nuk janë përfshirë fare në konfrontime.
Është rritur edhe dhuna mes kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor dhe palestinezëve.
Izraeli e uzurpoi Bregun Perëndimor në luftën e vitit 1967, së bashku me Jerusalemin lindor, të cilin më vonë e aneksoi, dhe Rripin e Gazës, nga i cili i tërhoqi trupat dhe kolonët më 2005.
Palestinezët i kërkojnë këto territore si pjesë të një shteti të tyre të pavarur në të ardhmen, por shpresat për këtë janë zbehur prej se shpërtheu lufta në Gazë./rel
Tragjedia në Gjermani, e përsëritur/ Sulmet terroriste në 20...
Tensionet në orët e vona, Olta: Gjesti mund ta nxirrte Xuxin...
Sulmi në Magdeburg, ambasadori i Kosovës në Gjermani: Lutjet...
Sulmi në Gjermani/Begaj: Sulmi ndaj qindra njerëzve duhet të...
Tragjedia në Gjermani: Reagojnë liderët evropianë – dërgojnë...
Tragjedia në Magdeburg po trajtohet si sulm terrorist