Google ADS

Fondi i rimëkëmbjes pas koronavirusit: Samiti i BE-së hyn në ditën e katërt pa marrëveshje

09:05 | 20 Korrik 2020
V. S.

Bisedimet e BE-së për arritjen e një marrëveshjeje për një fond të madh të rimëkëmbjes pas koronavirusit kanë hyrë në ditën e katërt.

Ka dallime të thella midis liderëve, të cilët po përpiqen të negociojnë marrëveshjen në të njëjtën kohë me buxhetin e ardhshëm afatgjatë të bllokut.

Disa shtete anëtare besojnë se paketa e propozuar prej 750 miliardë eurosh është shumë e madhe dhe duhet të vijë si kredi e ripagueshme, sesa grante.

Në orët e para të mëngjesit të së hënës, presidenti francez Emmanuel Macron raportohet se i ka rënë me duar tavolinës dhe kërcënoi të dilte nga diskutimet.

Dhe kryeministri holandez Mark Rutte ka pranuar se udhëheqësit ishin “afër dështimit” dhe bisedimet ende mund të “shkëputen”.

Diskutimet pritet të rifillojnë në orën 14:00 të ditës së sotme për atë që tani njihet si samiti më i gjatë i BE-së që nga ai i Nice-s në vitin 2000 kur bisedimet zgjatën pesë ditë.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel iu kujtoi udhëheqësve se më shumë se 600,000 njerëz kishin vdekur nga virusi në të gjithë botën, dhe ai shpresonte që “titulli nesër është që BE të ketë realizuar misionin e pamundur”.

Të hënën në mëngjes, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara të koronavirusit ishte pothuajse 14.5 milionë në nivel global, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme