Fondacioni Maarif i Turqisë merr përsipër shkollat e FETO-s në Etiopi

18:33 | 3 Korrik 2019
Arbresh.info

Fondacioni Maarif i Turqisë ka marrë përsipër kompetencat e shkollave të organizatës terroriste FETO në qytetin historik Harar në Lindje të Etiopisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Fondacioni ka marrë përsipër kampusin e shkollave që ​​përbëheshin nga të gjitha nivelet e arsimit, nga ai parashkollor deri në atë të mesëm, të themeluara nga FETO nën emrin Shoqata Rainbow.

Delegacioni përkatës që pranoi kompetencat e shkollave përbëhej nga anëtari i Bordit të Administratorëve të Besuar të fondacionit, Cihad Demirli, drejtori i fondacionit për Afrikën, Levent Şahin, dhe ndihmës-eksperti i Zyrës Koordinative Rajonale të Fondacionit Maarif për Afrikën, Bilal Yıldırım.

“Shpresojmë që shkolla të jetë e dobishme për Etiopinë dhe për njerëzit Harar dhe që përmes kësaj shkolle, popujt e dy vendeve të jenë në gjendje të njohin njëri-tjetrin më mirë”, tha për AA Demirli.

Ai theksoi se në saje të shkollës do të forcohen lidhjet historike, duke shtuar se Konsullata Osmane e restauruar në këtë qytet do të shërbejë si një qendër kulturore.

Demirli tha se fondacioni ka 272 shkolla në 33 shtete dhe 127 vetëm në 20 vende të Afrikës, ndërsa potencoi se Etipia ka rëndësi të madhe për Turqinë dhe për këtë arsye zhvillimi i sotëm, sipas tij, paraqet nder për ta.

Krahas shkollave në Harar, organizata terroriste FETO ka edhe gjashtë shkolla të tjera në Etiopi.

Pas tentativës për grusht shteti në korrik të vitit 2016, Turqia themeloi Fondacionin Maarif për të marrë administrimin e shkollave jashtë shtetit të lidhura me organizatën terroriste FETO. Fondacioni, gjithashtu, themelon shkolla dhe qendra edukimi jashtë vendit.

FETO ka një prani të konsiderueshme jashtë vendit, duke përfshirë shkollat ​​private të cilat shërbejnë si rrjedhë e të ardhurave për grupin terrorist.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme