Presidenti Joe Biden vëzhgoi zonat e goditura nga uragani Idalia në Florida fillimish nga ajri, përpara se të zbriste në terren, e bashkë me drejtuesit lokalë të qytetit Live Oak, të shihte nga afër punën që po kryhet për rindërtimin e ndërtesave të shkatërruara nga stuhia.
Ajo që ra në sy ishte mungesa e Guvernatorit të shtetit Ron DeSantis, një prej kandidatëve kryesorë republikanë për zgjedhjet presidenciale.
Zoti DeSantis nuk pranoi t’i bashkohej Presidentit Biden, duke thënë se prania e tij, do të ishte pengesë për punën që po kryhet për të përmirësuar situatën.
I pyetur lidhur me mungesën e rivalit të tij, zoti Biden tha se nuk ishte i zhgënjyer nga një vendim i tillë, ndërkohë ai mirëpriti praninë e senatorit Rick Scott, një prej dy senatorëve republikanë të këtij shteti.
Duke folur pranë një kishe me çati të dëmtuar e një shtëpie gjysmë të shkatërruar nga një pemë, presidenti u zotua për mbështetje totale të qeverisë federale për banorët e Floridës.
“Jam këtu sot për të dhënë një mesazh të qartë për banorët e Floridës dhe gjithë juglindjes së vendit. Ia kam thënë edhe guvernatorit tuaj, se jam gati të ofroj mbështetje për çdo gjë që u nevojitet e që lidhet me stuhinë. Vendi juaj u mbështet dhe ne do të jemi me ju derisa puna të përfundojë”, tha ai.
Më herët, kryebashkiaku i Live Oak-ut, një qytet rreth 130 kilometra në lindje të kryeqytetit të shtetit, Tallahasit, falënderoi Presidentin Biden dhe Zonjën e Parë Jill Biden për vizitën.
“Na treguat se ne jemi të rëndësishëm për ju”, tha ai.
“Të gjithë mendojnë se Florida është e pasur, por ky nuk është një nga qarqet më të pasura të shtetit dhe këtu ka njerëz që po vuajnë”, tha Kryebashkiaku Frank Davis.
Ndërkohë zyra e zotit DeSantis njoftoi se axhenda publike e së shtunës e guvernatorit përfshinte ndalesa në Keaton Beach, rreth 100 kilometra në jugperëndim të Live Oak-ut dhe në Horseshoe Beach, rreth 120 kilometra larg.
Komentatorët thonë se refuzimi i zotit DeSantis për t’u takuar me Presidentin Biden vjen për shkak të futjes në një zonë të nxehtë të garës presidenciale në mesin e republikanëve. Ata kujtojnë se tashmë Guvernatori DeSantis kandidon me qëllimin final për të larguar nga Shtëpia e Bardhë Presidentin Biden.
Vetëm një viti më parë Biden-DeSantis u takuan kur presidenti zhvilloi një vizitë në Florida pasi shteti u godit nga uragani Ian dhe po kështu në verën e vitit 2021 pas shembjes së një apartamenti në një nga plazhet e Majemit.
Idalia goditi të mërkurën në mëngjes përgjatë rajonit pak të populluar, Big Bend-it në Florida, si një stuhi e kategorisë 3 me erëra që arritën shpejtësinë e rreth 200 kilometrave në orë. Uragani shkaktoi përmbytje dhe dëme në një sipërfaqe të gjerë përpara se të lëvizte në veri të vendit, duke mbytur disa zona në Xhorxhia e në shtetet e Karolinës së Jugut e të Veriut./VOA/
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...
Njerëzit që duhet të tregojnë më shumë kujdes kur moti është...
Kulla e Vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2...
Çfarë ndodh nëse e mbani klimën lëshuar gjatë gjithë ditës?
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale