Florida përgatitet për shpërndarjen e vaksinës

10:10 | 3 Dhjetor 2020
Arditë Shkodra

Një kompani e kujdesit shëndetësor në Florida thotë se është gati për shpërndarjen e një vaksine të coronavirusit, sapo ajo të vihet në dispozicion. Vaksinat kandidate të kompanisë Pfizer dhe Moderna janë në pritje të miratimit të qeverisë amerikane për përdorim emergjent. Kompania Jackson e kujdesit shëndetësor që vepron në Qarkun Miami-Dade të Floridës, thotë se do të jetë një nga rrjetet e para që do të marrë vaksinën Pfizer, kur të miratohet nga Administrata e Ushqimit dhe e Barnave.

“Jackson është një sistem i madh shëndetësor në Qarkun Miami-Dade dhe kemi gjithashtu një spital. Ne u përzgjodhëm për shkak të numrit të rasteve me covid dhe se kemi aftësinë të shpërndajmë një numër të madh vaksinash për mjaft punonjës dhe më vonë për pacientët e komunitetit tonë,” thotë Venessa Goodnow, kryefarmaciste në sistemin shëndetësor Jackson Health.

Vaksina e firmës Pfizer përdor metodën e sinjalizuesit RNA për të aktivizuar sistemin imunitar kundër virusit dhe duhet të ruhet në temperaturën minus 70 gradë Celsius ose më ulët. Personeli i kompanisë Jackson tregon me krenari sistemin e ftohjes që ata kanë tashmë gati për të ruajtur vaksinën. “E presim vaksinën nga mesi i dhjetorit,” thotë kryefarmacistja e kompanisë Jackson Venessa Goodnow. “Jemi gati t’ua japim vaksinën punonjësve tanë për ata që zgjedhin të vaksinohen. Plani ynë është që së pari, vaksinën ta marrin punonjësit me rrezik të lartë dhe më pas të gjithë punonjësit që janë të interesuar”, thotë zonja Goodnow.

Qarku Miami-Dade është goditur veçanërisht rëndë nga COVID-19. Që nga e hëna qarku ka patur 230,000 infeksione, me gati 4,000 vdekje, sipas gazetës New York Times. Pas tetë muajsh kufizime dhe mbyllje biznesesh për shkak të pandemisë, amerikanët janë në pritje të vaksinave të prodhuara nga kompanitë Pfizer dhe Moderna, të cilat janë në proces miratimi për përdorim emergjent. “Të dhënat fillestare duken shumë premtuese, dy vaksinat e para që priten të dalin shfaqin mbi 90 përqind efikasitet. Me këtë aftësi vaksinimi, ne do të mund të mbrohemi nga Covidi dhe kjo do të na lejojë ta hedhim vështrimin përpara”, thotë zonja Goodnow.

Rezultatet përfundimtare të provave për vaksinën kandidate të firmës Pfizer treguan se ajo kishte një sukses prej 95% dhe pa efekte anësore serioze./voa

Të ngjashme