Fjala e lirë në Rusi testohet nga lajmet për jetën private të Putinit

23:37 | 28 Maj 2019
Trina Galanxhi

Normalisht, lindja e binjakëve është një arsye për të festuar. Madje, kur njëri prej prindërve është kreu i qeverisë dhe tjetra është një aspirante në politikë, krijohen mundësi për publikim fotografish interesante.

Por me sa duket, nuk ndodh kështu në Rusinë e Vladimir Putinit, ku jeta private e udhëheqësit të vendit është e paprekshme, thonë analistët.

Në Moskë po qarkullojnë prej ditësh fjalë se 36-vjeçarja që mendohet se është e dashura e udhëheqësit rus, gjimnastja 36-vjeçare Alina Kabaeva, ish-fituese e medaljes së artë olimpike dhe tashmë drejtuese e një grupi mediatik, lindi këtë muaj në kryeqytetin rus dy djem binjakë.

E ashtuquajtura “zonja e parë e fshehtë”, Alina Kabaeva, tre dekada më e re se Putini, mendohet se në vitin 2008 lindi një vajzë në një klinikë private në Zvicër, të rekomanduar nga politikani italian Silvio Berlusconi.

Si atëherë, edhe tani, Kremlini ka marrë masa për të eliminuar lajmin e lindjes. Zoti Putin, i cili e ruan me rreptësi jetën e tij private, ndoshta një zakon i mbetur nga ditët kur punonte si agjent i KGB-së, ka mohuar prej kohësh se është në një marrëdhënie me zonjën Kabaeva.

Kur iu drejtua në të shkuarën një pyetje guximtare rreth kësaj marrëdhënieje dashurie, zoti Putin u përgjigj: “Gjithnjë më është krijuar një ndjesi negative për njerëzit që fusin hundët e tyre të pista dhe fantazitë erotike në jetët e njerëzve të tjerë”.

Në vitin 2013, zoti Putin njoftoi dhënien fund të martesës 30-vjeçare me bashkëshorten Lyudmila Shkrebneva, me të cilën ka dy vajza të rritura. Ai u shfaq në publik për të bërë njoftimin së bashku me gruan, e cila ka punuar në të shkuarën si stjuardesë në kompaninë Aeroflot dhe si mësuese e gjuhës, gjatë një intervali të një shfaqjeje të Baletit të Kremlinit. Gjatë martesës së tyre, zonja Shkrebneva, e cila u martua sërish pas divorcit me zotin Putin, ka ruajtur një profil të ulët publik dhe i ka mbajtur në minimum shfaqjet në publik.

Njerëzit e mediave thonë se Kremlini lëvizi me shpejtësi javën e kaluar për të ndalur lajmet për lindjen e binjakëve, një tjetër shembull ky i menaxhimit të rreptë që u bëhet gazetave kryesore dhe faqeve në internet, në veçanti nëse bëhet fjalë për mbulimin mediatik të zotit Putin. Në vitin 2016, tre redaktorë të grupit mediatik rus RBC, u shkarkuan për shkak të një artikulli rreth burimit të pasurisë së zotit Putin. Grupet që vëzhgojnë lirinë e medias e konsideruan këtë rast si rrënues për gazetarinë investigative në Rusi.

Lindja e binjakëve u njoftua fillimisht nga faqja në internet e gazetës “Moskovsky Komsomolets”, pronar i së cilës është një prej miqve oligarkë të udhëheqësit rus, Arkady Rotenberg. Por, artikulli u hoq me shpejtësi. Zyrtarët rusë nuk pranojnë të komentojnë rreth kësaj çështjeje.

Megjithatë, njoftimet vazhduan të shfaqen sporadikisht për zonjën Kadaeva, e cila është me origjinë nga Uzbekistani, shoqëruar edhe nga akuza të besnikëve të zotit Putin se këto njoftime po inkurajohen nga armiq ukrainas të udhëheqësit rus. Faqja në internet dni.ru publikoi titullin “Alina Kabaeva lindi dy binjakë dhe u zhduk”. Faqja Dom2Life që është në pronësi të një tjetër oligarku të afërt me Putinin, Alexander Karmanov, e njoftoi fillimisht këtë zhvillim më 12 maj, që është edhe ditëlindja e zonjës Kabaeva.

Misteri rreth saj koinçidon edhe me goditjet e mëtejshme ndaj mediave në Rusi, ndërsa po shtohen ankesat për zvogëlimin e lirisë së shtypit dhe për vendosmërinë në rritje të Kremlinit për të menaxhuar mbulimin mediatik.

Pas disa dorëheqjeve, gazetarët rusë frikësohen se pakësimi i pavarësisë editoriale do të vazhdojë edhe më tej. Në muajin mars, Presidenti Putin firmosi ligje të reja kundër përhapjes së “lajmeve të rreme” dhe atyre që tregojnë “mosrespektim flagrant” të shtetit, duke parashikuar gjoba dhe burgim për autorët. Vëzhguesit paralajmërojnë se gjuha e vakët e këtyre ligjeve mund të krijojë hapësira për abuzime me qëllim mbytjen e shtypit të lirë./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme