Allan Lichtman, profesor i Historisë në Universitetin Amerikan në Uashington, ka parashikuar saktë çdo fitues të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara që prej vitit 1984, duke përdorur “13 elemntët kyçë” që, sipas tij, sjellin në pushtet triumfuesin, duke nisur nga një analizë e fushatës elektorale.
“Këto çelësa japin idenë e të gjithë panoramës. Në bazë të tyre, unë shoh përtej zgjedhjes së një presidenti amerikan, jo duke nisur nga fjalimet, sondazhet, debatet, fondet për fushatë, truket që kandidatët dhe stafet përdorin gjatë fushatës”, shprehet profesori.
Ajo çka ka rëndësi, sipas Lichtman, është fuqia që Presidenti amerikan ka mbi ekonominë dhe zhvillimin social. Dhe profesori duket se ka lajme të këqija, së paku për Donald Trump: “Parashikimi im është që Donald Trump do të bëhet Presidenti i parë në detyrë, që nga koha e George H. W. Bush në vitin 1992, që do t’i humbasë zgjedhjet dhe nuk do të rizgjidhet”.
Teksa Biden, edhe sipas sondazheve, premton të jetë fitues i këtyre zgjedhjeve, sipas modelit të profesor Lichtman, ekonomia në ngërç për shkak të pandemisë koronavirus dhe protestat kombëtare antiracore duket se e vulosën fatin e Trump në këto zgjedhje: “Kurrë në historinë e Shteteve të Bashkuara një president që drejton Shtëpinë e Bardhë nuk ka patur kaq shumë probleme që të humbasë pushtetin dhe lavdinë në kaq pak kohë. Nuk ka ndodhur kurrë më parë”.
Por, ai shton se republikanët shpresojnë në një votë ndryshe të minoriteteve dhe të rinjve, ndërsa gjithnjë e më shumë po rriten dyshimet për ndërhyrjen ruse në rezultatin e zgjedhjeve: “Shikoni se çfarë ndodh. Baza republikane ka njerëz të bardhë, të vjetrit si unë. Dhe si ne nuk do të ketë më. Për fat të keq, ne nuk mund të jetojmë deri në 150 vjeç.
Ndaj, tani po përpiqen të shtypin votën e bazës demokrate të të rinjve dhe minoriteteve. Kjo më shqetëson mua. Së dyti, ndërhyrja ruse. Ata po kthehen. Kanë mësuar shumë përgjatë këtyre 4 viteve. Ndoshta mund të përpiqen të ndërhyjnë në teknologjinë tonë të votimit apo qendrat e votimit.
Edhe një herë, Donald Trump e mirëpret ndërhyrjen ruse. Këto janë padyshim kërcënime më të mëdha për demokracinë tonë. Ato janë në të vërtetë sistemi im i pagabueshëm i parashikimit. Unë i qëndroj parashikimit tim dhe këtyre shqetësimeve”.
Pas 4 dekadash parashikimesh të pagabueshme, Lichtman pranon se ndihet vërtet nervoz në çdo ditë zgjedhjeje sepse kërkon të vendosë një rekord botëror: “Sot jam 73 vjeç. E bëj këtë gjë prej 40 vitesh dhe çdo 4 vjet ndjej ende flutura në stomak. Unë bëj një parashikim të qartë, pa mëdyshje se kush do të jetë fituesi. Nuk eci me probabilitet. Dhe nuk e di çfarë mund të më ndodhë nëse gabohem. Ndaj them që kam flutura ende dhe nervozizmi shtohet sidomos natën e zgjedhjeve”.
Profesor Lichtman pranon se një nga momentet e tij më të vështira ishte kur parashikoi në 2016 fitoren e Donald Trump, edhe pse të tjerët ishin të sigurt për triumfin e Hillary Clinton. /A2 CNN
Ngritet aktakuzë ndaj tre personave në Prizren për shitblerj...
Qeveria miraton vendimin për ndarjen e shtesave prej 100 eur...
Kurti kërkon angazhim maksimal për zgjidhjen e problemeve të...
Salah pas fitores ndaj Leicesterit: Shpresojmë se do ta fito...
Policia e Kosovës sot do të shpërndajë dhurata për fëmijët
Hamza shpreh mirënjohje për gazetarët: Një media e lirë ësht...