Google ADS

Finlanda i kërkon Turqisë dhe Hungarisë miratimin e protokolleve për anëtarësim në NATO

15:51 | 1 Nëntor 2022
E.H

Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, më 1 nëntor kërkoi nga Hungaria dhe Turqia që të ratifikojnë protokollet suedeze dhe finlandeze për anëtarësim në NATO.

Hungaria dhe Turqia janë dy vendet e fundit anëtare të NATO-s që ende nuk i kanë miratuar këto protokolle.

Deri më tani 28 prej 30 vendeve anëtare i kanë miratuar ato.

“Të gjithë sytë janë tani te Hungaria dhe Turqia. Ne presim që këto vende të ratifikojnë aplikimet tona. Mendoj se do të ishte e rëndësishme që kjo të ndodhte sa më shpejt”, tha Marin në një konferencë të përbashkët për media me krerët e tjerë nordikë.

Vendimi i Suedisë dhe Finlandës për t’iu bashkuar aleancës ushtarake erdhi pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në muajin shkurt dhe hapave të tjerë agresivë që Kremlini ka ndërmarrë në rajon. Opinioni publik në këto dy shtete nordike shpejt përkrahu anëtarësimin në NATO pas nisjes së pushtimit.

Finlanda dhe Suedia zyrtarisht kanë dorëzuar aplikimet që të anëtarësohen në aleancën e NATO-s më 18 maj./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme