Finlanda është e gatshme të luftojë Rusinë nëse sulmohet, thotë shefi i Mbrojtjes

18:28 | 23 Qershor 2022
Trina Galanxhi

Finlanda është përgatitur për dekada për një sulm rus dhe do të bënte rezistencë të ashpër nëse ndodh, tha shefi i forcave të saj të armatosura.

Vendi nordik ka ndërtuar një arsenal të konsiderueshëm. Por përveç pajisjeve ushtarake, tha gjenerali Timo Kivinen, një faktor vendimtar është që finlandezët janë të motivuar të mbrojnë vendin e tyre, transmeton portal arbresh.info

“Tani është e rëndësishme linja e mbrojtjes, sikurse edhe dëshmon lufta në Ukrainë”, tha Kivien në një intervistë.

Finlanda luftoi dy luftëra në vitet 1940 kundër fqinjit të saj lindor, me të cilin ndan një kufi prej 1,300 km (810 milje).

Dikur një vend i paangazhuar, tani po aplikon për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s për shkak të shqetësimeve se Rusia mund të pushtojë ashtu siç bëri Ukrainën më 24 shkurt. Që nga Lufta e Dytë Botërore, Helsinki ka mbajtur një nivel të lartë të gatishmërisë ushtarake.

“Ne kemi zhvilluar sistematikisht mbrojtjen tonë ushtarake pikërisht për këtë lloj lufte që po zhvillohet atje (në Ukrainë), me një përdorim masiv të fuqisë së zjarrit, forcave të blinduara dhe gjithashtu forcave ajrore,” tha Kivinen, shkruan Reuters.

“Ukraina ka qenë një kafshatë e vështirë për t’u përtypur (për Rusinë) dhe po ashtu edhe Finlanda”, shtoi ai.

Rreth 100,000 finlandezë u vranë gjatë dy luftërave që Finlanda luftoi kundër Bashkimit Sovjetik dhe humbi një të dhjetën e territorit të saj.

Kombi prej 5.5 milionë banorësh ka një forcë trupash të kohës së luftës prej rreth 280,000 me 870,000 të trajnuar si rezervistë. Ai nuk e hoqi detyrimin ushtarak për meshkujt siç bënë shumë vende të tjera perëndimore pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Finlanda gjithashtu ka ndërtuar një nga artileritë më të forta në Europë dhe është paisur me raketa lundrimi me rreze veprimi deri në 370km.

Finlanda së fundmi ka porositur katër anije të reja luftarake, si dhe 64 avionë luftarake F-35 nga gjigandi i mbrojtjes amerikane Lockheed Martin.

Rreth 82% e të anketuarve në një sondazh të 18 majit nga ministria e Mbrojtjes thanë se do të ishin të gatshëm të merrnin pjesë në mbrojtjen kombëtare nëse Finlanda sulmohej.

Megjithatë, Kivinen përshëndeti vendimin e Finlandës për të aplikuar për t’u bashkuar me NATO-n. Finlanda dhe shteti nordik Suedia janë në bisedime me Turqinë për të diskutuar kundërshtimin e kësaj të fundit ndaj aplikimeve të tyre.

Anëtarësimi në NATO do t’i lejojë Finlandës të rrisë kapacitetin e saj të paralajmërimit të hershëm duke qenë pjesë e kontrollit të përbashkët të hapësirës ajrore të aleancës, tha Kivinen./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme