Finlanda dhe Suedia thonë se do të vazhdojnë bisedimet me Turqinë

23:51 | 1 Qershor 2022
Trina Galanxhi

Finlanda dhe Suedia kanë deklaruar se do të vazhdojnë bisedimet me Turqinë mbi anëtarësimin e tyre në NATO, por nuk thanë nëse kishte pasur përparim në tejkalimin e kundërshtimeve të Ankarasë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake.

Vendet nordike aplikuan për t’u bashkuar me NATO-n muajin e kaluar si përgjigjje ndaj pushtimit rus në Ukrainë, transmeton portal arbresh.info

Megjithatë, të dy vendet kanë hasur në rezistencën e Turqisë, e cila i akuzon ato se janë strehë të sigurta për militantët kurdë dhe dëshiron që ata të heqin ndalimin e eksportit të armëve.

“Së bashku me Suedinë, ne do të bëjmë detyrat tona të shtëpisë dhe do të përgatitemi për pyetjet që ka Turqia,” u tha gazetarëve në Helsinki Ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto, duke komentuar bisedimet që u zhvilluan në Ankara javën e kaluar.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha gjatë një vizite në Uashington se ai do të mblidhte zyrtarë të lartë nga Finlanda, Suedia dhe Turqia në Bruksel në ditët në vijim për të diskutuar këtë çështje.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pas takimit me Stoltenberg, tha se shqetësimet e sigurisë së anëtarëve të NATO-s duhet të merren parasysh, por tha se ishte i bindur se procesi i pranimit për Finlandën dhe Suedinë do të ecë përpara.

Vendet nordike duhet të marrin mbështetjen unanime nga 30 shtetet aktuale për t’u bërë pjesë e aleancës./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme