Siachen, zonë e rrethuar me maja që kalojnë lartësinë prej 8.000 metrash, ndërkohë që njihet si “fushëbeteja më e lartë në botë” pasi midis viteve 1984-2003 ishte skenë e konflikteve midis Pakistanit dhe Indisë, u filmua së bashku me aktivitetin ushtarak për hërë të parë nga Anadolu Agency, transmeton arbresh.info.
I përbërë nga male të mbuluara me akuj dhe borë dhe i vendosur në trekëndëshin midis Pakistanit, Kinës dhe Indisë, rajoni ka akullnajën e tretë më të madhe në botë pas poleve, Akullnajën Siachen prej 70 kilometrash. Për këtë arsye, rajoni njihet edhe si “poli i tretë”.
Në rajon gjendet edhe Akullnaja Batoltoro, e gjatë 62 kilometra. Shumë alpinistë nga katër anët e botës e vizitojnë këtë akullnajë, pasi ajo është e rrethuar me shtatë nga 25 majat më të larta në botë.
Akullnajat kanë rëndësi jetike për Pakistanin, pasi ai furnizon lumin Indus, që llogaritet si arteria kryesore e Pakistanit, dhe lumenjtë e tjerë që bashkohen me të. Po ashtu, ato kanë rëndësi strategjike edhe për shkak se lidhin Kinën me Pakistanin.
Pakistani dhe India pretendojnë të drejtën e tyre për sovranitet mbi këtë rajon, pasi ai është një shtrirje e rajonit të kontestuar të Kashmirit.
– Lufta pas porositjes së materialeve ushtarake nga e njëjta firmë
Kontrolli mbi akullnajat u interpretua në mënyra të ndryshme nga dy vendet, kur më 1949 marreveshja e cila përcaktoi linjat e kontrollit në Kashmir i definoi ato si rajon “në veri të linjës së kontrollit”.
Gjersa India pohonte se linja duhet të kalonte drejt veriut përmes maleve Saltoro, përfshirë edhe akullnajën Siachen, Pakistani këmbëngulte se ajo duhej shtrirë përgjatë kalimit Karakurum në atë mënyrë që akullnaja të ngelte nën Pakistanin.
Për këtë arsye, vendet që nuk arritën të merreshin vesh, vendosën të dërgojnë ushtarë në zona në të cilat deri në vitin 1984 nuk kishte pasur ushtarë. India nisi operacionin e parë me të mësuar se Pakistani bërë porosi nga e njëjta firmë britanike e cila e furnizonte atë me materiale ushtarake për temperatura të ftohta.
Në rajonin e konsideruar si “çatia e botës”, shpërtheu një luftë e pashpallur pasi ushtra e Pakistanit iu kundërpërgjigj sulmit të ushtrisë indiane.
Pas luftës, India mori nën kontroll dy të tretën e Akullnajës Siachen, kurse Akullnaja Baltoro kaloi tërësisht nën kontrollin e Pakistanit.
– Ushtarët ecin me ditë të tëra për të arritur në vendet e detyrës
Pas luftës së Siachen-it, shumë maja kaluan nën kontrollin e ushtrisë pakistaneze. Që nga ajo ditë, dy vendet dërgojnë ushtarë në zonat e kontrolluara dhe ngrisin pika ushtarake.
Ushtria pakistaneze i hapi dyert e posteve dhe pozicioneve ushtarake për herët të parë për AA. Mehmet Öztürk, shefi i Departamentit të Gjuhëve të Huaja të AA-së si dhe gazetarët në Islamabad, Behlül Çetinkaya dhe İslamuddin Sajid, ishin përfaqësuesit e parë të një mediumi ndërkombëtarë që vëzhguan aktivitetet ushtarake në rajonin Siachen.
Flota e helikopterëve në qytetin Skardu, në Gilgit-Baltistan në veri të Pakistanit, është vendi ku helikopterët përdoren për transport në rajonin Siachen, ku mblidhen ilaçet, ushqimi, furnizimet ushtarake dhe furnizimet e tjera që do të dërgohen në rajon.
Helikopterët fluturojnë nëpër male me mijëra metra lartësi dhe lugina të mbuluara tërësisht me akuj. Pilotët e helikopterëve që fluturojnë këtu njihen si “I pafrikshmi 5”.
“Ne jemi të vetmit që fluturojmë në këtë lartësi. Poashtu, minatorët kërkojnë gurë të çmuar në tunelet që gërmojnë me duart e tyre në shpatet e rrafshëta të maleve”, shprehen pilotët.
Arritja në majat dhe postet ushtarake të kontrolluara nga ushtria pakistaneze fillon me fluturime prej gjysmë ore nga këtu, dhe ka dhjetëra poste ndërmjet lartësive 3.000 dhe 6.000 metra.
Ndërkaq, ushtarët që shërbejnë në këto poste dhe pika vëzhgimi, vazhdojnë në një udhëtim prej pesë orësh deri në fshatin e fundit në rrugën nga Sardu për në akullnajat Baltoro dhe Siachen, ndërsa nga aty fillojnë të ecin.
Ushtarët arrijnë në postet që gjenden më së larti e që kalojnë lartësinë mbi 6.000 metra për një kohë që kalon në mbi një muaj. Aryseja për këtë janë kushtet klimatike dhe ambientimi me nivelin e oksigjenit. Gjatë rrugëtimit, ushtarët ndalojnë nga një deri në pesë ditë në postet ushtarake në lartësi të ndryshme për ta ambientuar organizmin e tyre me klimën.
– Qindra cilindra oksigjeni në postet ushtarake
Stacionet apo postet ushtarake, të cilat përbëhen nga struktura të parafabrikuara të quajtura “Iglo” ose ndërtesa prej guri, kanë të paktën një mjek ushtarak dhe qindra cilindra oksigjeni. Helikopterët kanë gjithashtu cilindra oksigjeni për pilotët dhe pasagjerët.
Postet ushtarake furnizohen me energji nga panelet diellore, ndërsa nevoja për ujë plotësohet duke shkrirë borën. Në stacionet policore, ku çakmaku nuk ndizet për shkak të nivelit të oksigjenit, zjarri ndizet me shkrepëse, kurse vaji i gazit përdoret në sobat e gatimit.
Ushtarët dhe vizitorët rekomandohen të pinë të paktën 15 gota ujë çdo ditë për të shmangur ngrirjen, dhimbjet e kokës, dhimbjet e trupit dhe problemet me mushkëritë. Sidomos para se ushtarët të dërgohen në këtë rajon, gjatë kontrolleve shëndetësore atyre u matet vlera e hemoglobinës. Ushtarët me gjak të rrjedhshëm dërgohen në detyrë menjëherë ndërsa ata me densitet të lartë të gjakut merren në një proces trajtimi.
Çdo ushtar në ushtrinë pakistaneze duhet të kalojë të paktën 21 deri në 30 ditë në rajon gjatë detyrës së tyre, ndërsa më shumë kohë kalojnë në postet e larta të quajtur Saddle, Yusuf dhe Ibrahim, të cilat janë në lartësi mbi 6.000 metra.
Ndërkaq, në total, ushtarët kalojnë afër dy vite në poste të ndryshe në rajonin Siachen. Ushtria pakistaneze u siguron këtyre ushtarëve veshje, armë, ushqim, ilaçe dhe furnizime të tjera të përshtatshme për kushtet e natyrore. Këto materiale u jepen ushtarëve gjatë shkuarjes në detyrë, por po ashtu u hidhen edhe përmes helikopterëve disa ditë në javë.
– Temperatura gjatë dimrit deri në minus 50 gradë
Në kohën kur ekipi i AA-së vizitoi rajonin, temperatura ditore sillej nga 5 deri në 10 gradë celsius, kurse ajo e natës deri në minus 5 gradë.
Ushtarët në rajon thanë për AA se temperatura gjatë dimrit mund të shkojë deri në minus 50 gradë dhe se postet ushtarake dhe pistat e helikopterëve ngelin nën borë për shkak të erës.
Gjatë dimrit, sëmundjet rriten, thanë ushtarët, të cilët theksuan se për shkak të stuhisë së borës, ndodh që helikopterët e furnizimeve të mos vijnë nga 20 ditë dhe për katë arsye ndodh që të sëmurët të humbin jetën.
Ushtarët shprehen se sidomos nga mbulimi me borë i çarjeve akullnajore të quajtura “Krevas”, rajoni është bërë edhe më i rrezikshëm, duke shtuar se ata që shkelin në hapësira të tilla mund të bien në çarje prej qindra metrash dhe në këtë mënyrë të humbin jetën.
Për këtë arsye, ushtarët radhiten në një rresht të vetëm gjatë ecjeve dhe lidhen me litar me njëri-tjetrin.
– Orteku që mbuloi 140 ushtarë
Kushtet klimatike në rajonin Siachen cilësohen si “armiku më i madh i dy vendeve”.
Sipas zyrtarëve ushtarakë që shoqëruan ekipin e AA-së, afër 70 për qind e ushtarëve që kanë vdekur në rajon që nga lufta e vitit 1984, kanë humbur jetën si pasojë e kushteve klimatike dhe natyrore. Nga 470 ushtarë të vdekur pakestinazë brenda 35 viteve, 140 kanë humbur jetën nga orteku në postin ushtarak Gyari dhe mbi 100 duke rënë në plasaritjet e akullnajave.
Në postin ushtarak Gyari, i cili ndodhet në itinerarin e përdorur për të shkuar në shumë poste të rajonit, gjendeshin struktura që mund të strehonin më shumë se 140 ushtarë, garazhe dhe depo, për shkak të kushteve relativisht më të mira të motit, probabilitetit të ulët të rënies së ortekut dhe tokës së sheshtë.
Në natën midis 6 dhe 7 prillit të vitit 2012, një ortek me shkëmbinj filloi të bjerë nga një lartësi prej 4 kilometrash, duke zënë postin ushtarak.
Vetëm një ushtar që bënte roje më larg dhe një ushtar tjetër që po shkonte me automjet në detyrë arritën të mbijetojnë.
Mbi 140 ushtarë humbën jetën nën një shtresë bore, shkëmbinjsh dhe dheu e cila arriti në mbi 20 metra.
Orteku përfshiu një sipërfaqe prej 1,2 kilometër katror.
Në dëshminë e tij të parë, siç thuhet, ushtari i mbijetuar është shprehur se “Pashë duke u përplasur dy male me njëri-tjetrin”.
Krahas ushtarëve, mijëra ekipe të huaja morën pjesë në aktivitetet e shpëtimit, ndërsa ofertë për ndihmë kishte bërë madje edhe ushtria indiane.
Pasi aktivitetet e shpëtimit u zhvilluan pa makineri, kufoma e parë u gjet pas 21 ditëve. Pas një pune që zgjati një vit e gjysmë, u nxorrën 133 kufoma, ndërsa të tjerët ende ngelin të zhdukur. Ushtria e Pakistanit supozon se nën ortek ende gjenden edhe shtatë trupa të pajetë.
– Ushtria e Pakistanit shpëton alpinistët
Alpinistët që vizitojnë rajonin në Akullnajën Baltoro për t’u ngjitur nëpër majat më të larta në botë, vendosin kampe në afërsi të posteve ushtarake.
Alpinistët vijnë në këtë zonë për t’u ngjitur në majën e dytë më të lartë në botë, K2, si dhe në majat Broad Peak, Gasherbrum dhe Masherburum. Ata nisen nga posti ushtarak Paiyu, ku fillon Akullnaja Baltoro, ndërsa më pas arrijnë në kampin e alpinistëve në afërsi të postit Concordia. Këtu ata ndahen në dy grupe, ata që shkojnë në K2 dhe ata që synojnë majen Broad Peak, ndërkohë që alpinistët që dëshirojnë të ngjiten në majat e tjera shkojnë afër postit në Kampin e Rutës Ndërkombëtare të Eksplorimit (IHEC).
Këto tri poste funksionojnë edhe si intervenues nëse alpinistët përjetojnë vështirësi ose probleme shëndetësore.
Sipas një raporti të publikuar nga Departamenti Pakistanez i Meteorologjisë në vitin 2017, interesimi i madh i personave që merren me sporte të natyrës dhe aktiviteti ushtark në Akullnajën Baltoro si dhe aktiviteti ushtarak në Akullnajën SIachen, ka rritur shkrirjen e akullnajave në rajon.
Niveli i akullnajave si pasojë e shkrirjes së përshpejtuar në 30 vitet e fundit ka rënë në gjendje alarmante.
Ish-presidenti pakistanez Nawaz Sharif, duke dashur të zvogëlojë aktivitetin ushtarak dhe hedhurinat e shkaktuara nga ky aktivitet, i kishte bërë thirrje Indisë gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dy vendet t’i tërheqin ushtarët e tyre nga rajoni Siachen, por India kishte refuzuar.
Arsenali e ka gjetur tek Bayern Munich lojtarin i cili mund ...
Libani dëbon rreth 70 oficerë dhe ushtarë sirianë
Supa e cila eliminon helmet dhe yndyrat nga trupi: Racion i ...
Për herë të parë, ShBA furnizon Ukrainën me gaz amerikan
Murtaja afrikane/ Autoriteti i Veterinarisë asgjëson sipas p...
Si ndikon gjumi në sistemin imunitar?