Fillon vaksinimi kundër koronavirusit në Suedi

12:09 | 27 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Vaksina e parë kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në Suedi iu dha një gruaje 91-vjeçare që jeton në një shtëpi pleqsh.

Në Suedi, ku dje mbërriti grupi i parë prej 4.000 dozave të kompanisë gjermane të bioteknologjisë BioNTech, fillimisht u vaksinuan banorët e shtëpive të pleqve.

Vaksina e parë iu dha Gun-Britt Johnsson, 91 vjeçe, e cila jeton në një shtëpi pleqsh në Mjölby.

Në Suedi, e cila zbatoi strategjinë e “imunitetit të tufës” duke marrë masa të lehta në luftën kundër COVID-19, qytetarët që synuan të përfitonin nga zbritjet e çmimeve me rastin e Krishtlindjeve u dyndën në qendrat tregtare dhe dyqane. Siç u vërejt, shumica e personave që injoruan paralajmërimin e autoriteteve nuk mbanin maskë.

– Suedia arriti nivelin më të lartë të vdekjeve në 100 vitet e fundit

Sipas raportit të botuar nga agjencia zyrtare e statistikave SCB, Suedia në nëntor ka regjistruar nivelin më të lartë të vdekjeve pas gripit spanjoll të vitit 1918.

Në raportin e botuar nga Komisioni i Koronavirusit, i cili shqyrtoi strategjinë kundër COVID-19 të qeverisë suedeze, thuhet se strategjia e “imunitetit të tufës” ishte e pasuksesshme, gjatë së cilës vendi mori masa të lehta për parandalimin e virusit.

Raporti thekson se veçanërisht të moshuarit nuk kanë mundur të mbrohen gjatë pandemisë.

“Shumica e punonjësve në shtëpitë e pleqve janë lënë vetëm në luftën kundër krizës së virusit. Në shtëpitë e pleqve masat u morën vonë, të moshuarit nuk mund të mbroheshin”, thuhet në raport.

Sipas shifrave të shpallura nga Drejtoria e Shëndetit Publik, numri i të vdekurve në vendin me një popullsi prej 10 milionë banorësh është rritur në 8.279, ndërsa ai i rasteve ka shkuar në 396.048./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme