Senatori demokrat Bob Menendez, u paraqit në gjykatën federale të hënën në Manhatan, i akuzuar për marrje rryshfeti në para të thata dhe ar, për të ushtruar ndikimin e tij në favor të tre sipërmarrësve nga Nju Xhersi.
Senatori 70-vjeçar u ul përkrah avokatëve të tij dhe dëgjoi gjykatësin Sidney H. Stein që u shpjegonte akuzat ndaj tij anëtarëve të mundshëm të jurisë.
Gjykatësi tha se senatori nga shteti i Nju Xhersit akuzohet për konspiracion për të marrë rryshfet.
Pasi i paralajmëroi kandidatët për anëtarë të jurisë se gjyqi pritet të zgjasë për disa javë, gjykatësi Stein u dha atyre mundësinë të ngrinin dorën nëse mendonin se nuk do të mund të shërbenin për këtë periudhë të zgjatur kohore. Në vazhdim, ai bisedoi me secilin prej tyre më vete në një dhomë të ndarë, për t’i pyetur më tej rreth arsyeve që ata kishin.
Senatori Menendez, i veshur me kostum dhe kravatë të kuqe, zbriti nga makina përpara godinës së gjykatës federale të Manhatanit në orën 8:15 të mëngjesit, dyzet minuta përpara se autokolona e ish-presidentit Donald Trump të mbërrinte në godinën e gjykatës së shtetit të Nju Jorkut, në anën tjetër të rrugës.
Zoti Menendez nuk foli me gazetarët ndërsa hyri brenda godinës së gjykatës.
Senatori merr pjesë në këtë proces gjyqësor së bashku me dy sipërmarrës që akuzohen se i dhanë atij rryshfete, Fred Daibes dhe Wael Hana. Të tre të akuzuarit kanë deklaruar se janë të pafajshëm për akuzat. Një sipërmarrës i tretë ka pranuar fajësinë dhe ka rënë dakort të dëshmojë ndaj të tjerëve. Akuza janë ngritur edhe ndaj bashkëshortes së senatorit, por gjyqi për të është shtyrë deri për të paktën në muajin korrik.
Deklaratat fillestare të palëve pritej të bëheshin pas të martës, në këtë proces gjyqësor që ka tronditur tashmë të ardhmen politike të senatorit. Pasi u bënë të ditura akuzat në shtator, ai u detyrua të largohej nga posti i fuqishëm i kryetarit të Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.
I zgjedhur senator prej tre mandatesh, zoti Menendez ka njoftuar se nuk do të jetë sërish kandidat i Partisë Demokrate në zgjedhjet që mbahen këtë vjeshtë, megjithëse nuk ka përjashtuar kandidimin si i pavarur.
Ky është gjyqi i dytë ndaj tij për korrupsion brenda një dekade. Çështja e mëparshme gjyqësore ndaj tij, e ngritur për akuza që nuk lidhen me çështjen e tanishme, u pushua në vitin 2017 pasi juria nuk arriti të marrë vendim.
Në padinë e re, prokurorët thonë se përpjekjet e senatorit për të ndihmuar sipërmarrësit rezultuan në ndihmë të qeverive të Egjiptit dhe Katarit. Senatori Menendez ka mohuar me vendosmëri të ketë bërë ndonjë gjë të pazakontë në marrëdhëniet me zyrtarët e huaj.
Krahas akuzave për rryshfet, zhvatje, mashtrim dhe pengim të drejtësisë, senatori Menendez akuzohet edhe për veprimtari në ndihmë të interesave të qeverisë së Egjiptit.
Ndër provat për të cilat duhet të japin shpjegim avokatët e tij, janë edhe shufrat e floririt me vlerë mbi 100 mijë dollarë, si dhe mbi 486 mijë dollarë të gjetura gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në Nju Xhersi. Një pjesë e këtyre parave u gjetën të futura nëpër xhepat e veshjeve të varura në dollap.
Bashkëshortja e tij, Nadine Menendez, është gjithashtu e akuzuar, por gjyqi për të është shtyrë për arsye shëndetësore. Ajo pritet sidoqoftë që të ketë një rol kryesor në proces. Prokurorët thonë se ajo shërbeu shpesh si ndërmjetëse mes personave që jepnin rryshfetin dhe senatorit Menendez.
Sipas materialeve të paraqitura në gjykatë, avokatët e senatorit kanë në plan të shpjegojnë se senatori Menendez nuk kishte njohuri për disa nga episodet, pasi bashkëshortja nuk e kishte vënë në dijeni.
Sipas padisë, zoti Daibes i dha shufra floriri dhe para të thata senatorit Menendez dhe bashkëshortes së tij, për të fituar mbështetjen e senatorit për një marrëveshje me vlerë prej disa miliona dollarësh me një fond investimesh nga Katari dhe se në vazhdim senatori ndërmori veprime në favor të qeverisë së Katarit.
Padia gjithashtu thotë se senatori Menendez ndërmori veprime për të ndihmuar zyrtarë egjiptianë, në këmbim të rryshfeteve nga zoti Hana, i cili siguroi ndërkohë një marrëveshje të rëndësishme me qeverinë egjiptiane për çertifikimin për përmbushjen e kritereve të forta islamike për mishin e importuar.
Kur pranoi fajësinë disa javë më parë, sipërmarrësi Jose Uribe pranoi se i pati blerë bashkëshortes së senatorit një automjet Mercedes-Benz, që senatori të ndikonte tek hetimet penale që po bëheshin ndaj ortakëve të tij në biznes./voa
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...