Gjyqi ndaj gazetarit amerikan të burgosur në Rusi, Evan Gershkovich, ka filluar të mërkurën, për akuza për spiunazh, të cilat ai, Wall Street Journal dhe Qeveria amerikane i hedhin poshtë si të motivuara politikisht.
Gershkovich u pa me kokë të rruar teksa qëndroi mbrapa xhamave në një paraqitje të shkurtër para gazetarëve në sallën e gjyqit.
Gjyqi ndaj tij po mbahet me dyer të mbyllura në një gjykatë në Jekaterinburg, në qytetin Ural, ku Gershkovich u arrestua më 29 mars 2023 gjatë një vizite për reportazh dhe u akuza se tentoi të siguronte të dhëna të fshehta ushtarake.
Mediat, miqtë, anëtarët e familjes, e as pjesëtarë të Ambasadës amerikane nuk lejohen të marrin pjesë në seancat gjyqësore.
Gershkovich, i lindur në Amerikë nga prindër emigrantë nga ish-Bashkimi Sovjetik, është gazetari i parë amerikanë që arrestohet për akuzat për spiunazh në Rusi prej Luftës së Ftohtë.
Ai rrezikon të dënohet me burgim deri në 20 vjet, nëse shpallet fajtor, gjë që është pothuajse e sigurt.
Autoritetet ruse nuk kanë dhënë asnjë dëshmi për t’i mbështetur akuzat ndaj tij për spiunazh.
E përditshmja amerikane Wall Street Journal – për të cilën ka punuar gazetari – dhe Qeveria amerikane, i hedhin poshtë vazhdimisht.
Të dyja institucionet kanë deklaruar disa herë që Gershkovich, 32-vjeçar, ka qenë duke e bërë punën e tij kur është arrestuar.
Gershkovich është duke u mbajtur në burgun famëkeq të Moskës, Lefortovo, prej se u arrestua dhe të gjitha ankesat e tij për lirim janë hedhur poshtë.
Shefi ekzekutiv i Dow Jones dhe botuesi i Wall Street Journal, Almar Latour, dhe kryeredaktorja e gazetës, Emma Tucker, thanë në një komunikatë më 13 qershor se Gershkovich po përballet me “akuza të rrejshme dhe të pabaza”.
Qeveria amerikane ka thënë se Gershkovich dhe një amerikan tjetër, ish-marinsi amerikan Paul Whelan i cili po e kryen një dënim me 16 vjet burgim i akuzuar për spiunazh, janë “ndaluar padrejtësisht”.
Një tjetër shtetase amerikane që aktualisht po mbahen prej autoriteteve ruse është edhe Alsu Kurmasheva, gazetare e Radios Evropa e Lirë.
Ajo u arrestua në Kazan të Tatarstanit në tetor të vitit 2023 dhe akuzohet se ka dështuar të regjistrohet si “agjente e huaj”, si dhe për shpërndarje të të pavërtetave për ushtrinë ruse.
Nëse dënohet, ajo përballet me 10 vjet burgim.
Autoritetet amerikane kanë thënë se Kurmasheva është arrestuar në shenjë hakmarrjeje për punën që ka bërë./rel
Vëllaznimi rikthen Myreon Jones
Ushtarët e KFOR-it kryejnë stërvitje të përbashkët evakuimi
Nis protesta e opozitës në Shqipëri, bllokohen disa rrugë në...
Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleanc...
Monza e shkarkon Alessandro Nestan
Biden fal dënimet me vdekje