Gjyqi më i madh kundër mafias në Itali në më shumë se tre dekada filloi të mërkurën për të ndjekur penalisht qindra anëtarë të organizatës më të madhe të krimit të vendit, të njohur si “Ndrangheta”, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjyqi pritet të zgjasë deri në dy vjet, pasi më shumë se 350 anëtarë të dyshuar të grupit të krimit do të ndiqen nën akuza për vrasje, zhvatje, trafik droge dhe pastrim parash.
Më shumë se 900 dëshmitarë pritet të dëshmojnë kundër anëtarëve të dyshuar të “Ndrangheta”. Për organizimin e gjyqit masiv, është ndërtuar një bunker i posaçëm i sigurisë së lartë në rajonin jugor të Kalabrisë, i cili ka qenë epiqendra e krimit për anëtarët e armatosur të “Ndrangheta”, i ngulitur fillimisht në rajon dhe bazuar në lidhjet familjare.
Ky është gjyqi më i madh kundër organizatave të krimit që nga “procesi i madh” 1986-92 në Palermo, ku prokurorët sicilianë vendosën pothuajse 500 anëtarë të mafias së Cosa Nostra në bankën e të akuzuarve.
Duke u rritur në heshtje midis maleve kalabreze dhe fshatrave të izoluar, “Ndrangheta” është bërë një nga organizatat më të mëdha dhe më vdekjeprurëse të krimit të organizuar në botë, duke lënë në hije Cosa Nostra dikur më të fuqishme.
Grupi kalabrez tani është i përfshirë në aktivitete kriminale në të paktën katër kontinente me mijëra anëtarë dhe besohet se kontrollon furnizimin e sasive të mëdha të kokainës që hyjnë në Evropë nga Amerika e Jugut dhe gjetkë.
Diplomacia amerikane kishte vlerësuar në vitin 2010 që fitimet e grupit nga aktivitetet e saj kriminale kontribuan në të paktën 3 për qind të prodhimit të vendit.
Gjyqi i së mërkurës është përqendruar kryesisht në familjen e fuqishme Mancuso, e cila besohet se kontrollon një pjesë të madhe të grupit mafioz.
Gjyqi, megjithatë, përfshin gjithashtu disa politikanë, oficerë policie, nëpunës civilë dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë, të cilët akuzohen gjithashtu se kanë ndihmuar grupin “Ndrangheta” në mënyra të ndryshme, duke treguar lidhje të forta midis grupeve kriminale dhe zyrtarëve të shtetit.
Prokurori anti-mafia Nicola Gratteri, i cili ia kushtoi pjesën më të madhe të karrierës së tij luftës kundër “Ndrangheta”, u tha gazetarëve të mërkurën se gjyqi ishte “një pikë kthese”, duke sjellë për herë të parë një organizatë të tërë dhe bashkëpunëtorët e saj para drejtësisë. “Sot ne kemi filluar të flasim në dritën e diellit”, tha ai.
Antonio Nicaso, ekspert me seli në Toronto të Kanadasë, tha se gjyqi mund të konsiderohet “një moment historik në luftën kundër “Ndrangheta”, dhe një mundësi historike për të zbuluar sekretet e një prej organizatave më sekrete të krimit në botë.
“Kjo dëshiron që unë të them kam pëlqim për të”, Driloni fle...
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...
Detaje të reja për të dyshuarin e sulmit në tregun e Krishtl...
Vetaksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, vdes një person
Zëvendëskryeministri italian vjen në Kosovë, viziton KFOR-in...