Google ADS

“FETO, kërcënim për 170 vende të botës ku është aktive”

23:09 | 23 Shkurt 2017
Trina Galanxhi

Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım, ka deklaruar sot se “FETO e cila kreu një kryengritje kundër popullit dhe demokracisë së Turqisë, është kërcënim për rreth 170 vende të botës ku është aktive”, raporton Anadolu Agency (AA).

Yıldırım këtë deklaratë e ka bërë gjatë konferencës së përbashkët me homologun e tij pakistanez, Nazar Sherif, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Turqi. Pas takimit kokë më kokë dy kryeministrat kanë zhvilluar një takim mes delegacionesh si dhe kanë marrë pjesë në punimet e Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit Strategjik mes dy vendeve.

Yıldırım gjatë konferencës për shtyp ka theksuar se fakti që kjo vizitë zhvillohet me rastin e 70 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve është edhe më kuptimplotë.

“Dy popujt tanë kanë ndihmuar njëri-tjetrin dhe i janë gjendur pranë në kohë të vështirë, si dhe në çështjet kombëtare”, ka thënë Yıldırım dhe më pas duke cekur temën e tentativës së FETO-s për grusht shteti, ka vënë në dukje se dy dhomat e Parlamentit, qeveria dhe populli i Pakistanit kanë shprehur qëndrim pro popullit dhe shtetit të Turqisë.

Duke e falënderuar për mbështetjen, Yıldırım tha se FETO është një kërcënim edhe për sigurinë e Pakistanit dhe në vazhdim shtoi: “E dimë që ndani një mendim me ne për të bërë një punë të kujdesshme dhe të pastër për zhdukjen e tyre nga Pakistani dhe për këtë ju falënderoj. Bashkë me hapat që do të hedhin vëllezërit tanë atje, tashmë Pakistani nuk do të ketë më një hapësirë jete për FETO-n dhe do të lërë njëherë e përgjithmonë këtë vend”.

Duke vënë në dukje se Presidenti i Turqisë së shpejti do të zhvillojë një vizitë në Pakistan, për të marrë pjesë në samitin rajonal që do të zhvillohet atje, kryeministri turk ka thënë se gjatë takimit me homologun e tij ata kanë biseduar tema të ndryshme për rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Ndërkohë Kryeministri i Pakistanit, Nazar Sherif, duke thënë se “armiqtë e Turqisë janë edhe armiqtë e Pakistanit”, tha se vendi i tij është përkrah Turqisë në luftën kundër terrorizmit. “Dua të rikujtoj edhe njëherë që Pakistani është në solidarizim të plotë me Turqinë dhe popullin turk për tentativën tinzare për grusht shteti më 15 korrik”, tha Sherif dhe më pas në vijim të fjalës së tij theksoi se populli turk atë natë ka bërë një sakrificë të madhe dhe të vërtetë duke dalë përpara tankeve, duke mbrojtur demokracinë dhe vullnetin e tyre. “Kjo gjë do të shkruhet në histori me shkronja të arta”, është shprehur ai.

Ndërsa duke vënë në dukje se Turqia i ka treguar botës për këtë organizatë të jashtëligjshme e cila qëndron pas tentativës për grusht shteti, Sherif në vijim ka shtuar: “Pakistani është duke ndihmuar Turqinë në këtë luftë. Dua të theksoj edhe njëherë që armiqtë e Turqisë janë armiq edhe për Pakistanin. Ne e dimë mirë që Turqia nuk do t’ju japë shanse sulmuesve frikacake të kësaj natyre. Ne e dimë mirë që Turqia do të vazhdojë të qëndrojë e fortë përballë çdo lloj sulmi. Turqia do të vazhdojë të ecë në rrugën e paqes, mirëqenies dhe zhvillimit. Rruga e Turqisë është në kuadër të asaj që ka treguar lideri i saj karizmatik, Recep Tayyip Erdoğan”.

Në vijim të fjalës së tij Sherif ka thënë gjithashtu se Turqia dhe Pakistani do të vazhdojnë rrugën e forcimit të marrëdhënieve të tyre strategjike. Ai ka theksuar se Turqia dhe Pakistani janë të bashkuar në luftën kundër Islamofobisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme