Shtetet e Bashkuara u angazhuan këtë fundjavë në një valë sulmesh hakmarrëse kundër objektivave të Iranit dhe të milicive që mbështet në Irak, Siri e Jemen, duke i rritur edhe më tensionet në rajonin e trazuar të Lindjes së Mesme.
Kjo, pasi SHBA-ja fajësoi një grup milicish të mbështetura nga Irani për një sulm me dron në Jordani, më 28 janar, ku mbetën të vrarë tre ushtarë amerikanë.
Në Jemen, ofensivës së SHBA-së kundër rebelëve të Huthit, që prej muajsh pengojnë tregtinë globale në Detin e Kuq, iu bashkua edhe Britania e Madhe.
Dy vendet i sulmuan Huthët, që po ashtu mbështeten nga Irani, edhe në fillim të janarit.
Ministria e Jashtme e Iranit tha se sulmet ajrore të SHBA-së në Irak dhe në Siri janë “një gabim strategjik”.
Sipas saj, ato “nuk do të kenë asnjë rezultat tjetër përveç intensifikimit të tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në rajon”.
Sulmet goditën së paku 85 objektiva dhe, sipas zyrtarëve irakianë, lanë të vrarë 16 persona, në mesin e tyre edhe civilë.
Iraku tha se sulmet hakmarrëse të SHBA-së do të sjellin “pasoja katastrofike” për rajonin.
Më herët, si udhëheqësit amerikanë, ashtu edhe ata iranianë thanë se nuk duan luftë, por se do t’u përgjigjen provokimeve të njeri-tjetrit.
Opsioni i konfliktit të drejtpërdrejtë ushtarak nuk është jashtë tryezës për disa analistë.
Si u intensifikuan tensionet?
Derisa Irani e mohoi përgjegjësinë për sulmin në Jordani, atë e mori Rezistenca Islamike në Irak, e cila është një organizatë ombrellë e grupeve militante të mbështetura nga Irani.
Sipas Pentagonit, grupet e tilla, të vendosura në Irak dhe Siri, kanë sulmuar mbi 150 herë forcat amerikane në rajon, prej se Izraeli dhe Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja – kanë nisur luftën në muajin tetor. Shkak për të është bërë një sulm masiv i Hamasit në tokën izraelite, i cili ka rezultuar me mbi 1.200 persona të vrarë. Që atëherë, Izraeli ka vrarë mbi 26.000 palestinezë në Rripin e Gazës, duke shkaktuar zemërim në botën myslimane.
SHBA-ja ka dalë në mbështetje të Izraelit. Ajo ka mohuar se është e përfshirë në luftën në rajon, por është hakmarrë kundër grupeve të mbështetura nga Irani në Irak dhe Siri dhe ka kryer sulme kundër kapaciteteve ushtarake të rebelëve të Huthit në Jemen.
Irani e paralajmëroi këtë javë SHBA-në se do t’i përgjigjet me vendosmëri çdo sulmi eventual kundër Republikës Islamike.
“Ne e njohim njëri-tjetrin. Ju e dini që ne nuk i lëmë kërcënimet pa përgjigje. Ne nuk kërkojmë luftë, por nuk kemi frikë nga lufta dhe nuk ikim prej saj”, tha Hossein Salami, komandant i Gardës Revolucionare të Iranit.
Historia e trazuar e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Teheranit është e vjetër me dekada dhe lidhet me arsye të ndryshme – nga akuzat për përzierje në punët e brendshme të njëri-tjetrit deri te pengmarrja e 52 amerikanëve në Iran, më 1979. Dy vendet nuk kanë marrëdhënie diplomatike qysh nga viti 1980.
Çka thonë analistët?
Pas sulmit në Jordani, disa zyrtarë amerikanë, përfshirë senatorin Lindsey Graham, kanë thënë se SHBA-ja duhet t’i kundërpërgjigjet direkt Iranit.
“I bëj thirrje administratës së [presidentit Joe] Biden që të godasë objektiva të rëndësishme brenda Iranit, jo vetëm si hakmarrje për vrasjen e forcave tona, por edhe si masë parandaluese kundër agresionit të ardhshëm”, ka thënë Graham.
Ky opsion nuk është krejt jashtë tryezës, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, Alex Vatanka, drejtor i Programit për Iranin në Institutin e Lindjes së Mesme.
“Udhëheqja në Iran nuk duhet të harrojë se këtu në SHBA është vit zgjedhor. Presidenti Biden, i cili kandidon për rizgjedhje në Shtëpinë e Bardhë, nuk mund të shihet si i dobët… Ai është nën presion të madh për të treguar vendosmëri, për të siguruar se vrasja e tre amerikanëve në Jordani nuk do të bëhet një normale e re”, thotë Vatanka.
Se SHBA-ja mund të përfshihet në konflikt të drejtpërdrejtë me Iranin, qoftë edhe gabimisht, e thotë edhe Ali Vaez, drejtor i Projektit për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
“Po, ka shumë rrezik. Edhe pse Teherani dhe Uashingtoni nuk janë të interesuar që ta kthejnë konfliktin aktual në një luftë të hapur, në mes tyre ka shumë fërkime, ka shumë aktorë, të tillë si milicitë. Dhe, fërkimet mes tyre ndodhin në një zonë të gjerë gjeografike – nga Oqeani Indian deri në Detin e Kuq dhe Mesdhe, si dhe në fushën kibernetike”.
“Ka shumë rrezik për gabime dhe llogaritje të gabuara. Dhe, problemi është se, për aq kohë sa vazhdojnë aktet e hakmarrjes, ka rrezik që në një pikë të caktuar ato të dalin jashtë kontrollit”, thotë Vaez për Exposenë.
Vatanka thotë se nuk beson në llogaritje të gabuara. Nëse Uashingtoni dhe Teherani vendosin të shkojnë në luftë, ata do ta bëjnë këtë për shkak të vendimit të marrë në nivelet më të larta, sipas tij.
“Unë nuk besoj shumë në llogaritje të gabuara kur bëhet fjalë për Shtetet e Bashkuara dhe Iranin, sepse këto janë dy vende që, në thelb, kanë qenë në këtë cikël dhune dhe rivaliteti kundër njëri-tjetrit tash e 45 vjet. Pra, ata kanë shumë mënyra për t’i kuptuar vendimet e njëri-tjetrit, për t’i formësuar vendimet e njëri-tjetrit dhe sigurisht për t’i komunikuar qëllimet e njëri-tjetrit”, thotë Vatanka.
Analistët kujtojnë se edhe presidentët e mëparshëm amerikanë kanë marrë vendime të ngjashme në përgjigje të provokimeve të Teheranit, por se nuk e kanë frenuar atë.
Në vitin 1988, Ronald Reagan ka urdhëruar një operacion që ka dëmtuar flotën detare të Iranit, si hakmarrje për minimin e një luftanijeje amerikane, që ka lënë të plagosur 10 marinarë.
Në vitin 2020, Donald Trump ka urdhëruar një sulm me dron në Irak, i cili ka lënë të vrarë gjeneralin iranian, Qassem Soleimani. Soleimani është fajësuar për disa sulme terroriste kundër interesave të SHBA-së dhe aleatëve të saj.
Pas vrasjes së tij, Teherani ka lëshuar një breshëri raketash në bazat amerikane në Irak, duke shkaktuar lëndime, por jo viktima.
Vaez, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, thotë se SHBA-ja nuk duhet të ketë iluzione se sulmet e ngjashme kundër Iranit tani, do ta ndalin turrin e tij apo të milicive që mbështet.
“Shtetet e Bashkuara kanë bombarduar Huthët në Jemen dhe ata vazhdojnë t’i sulmojnë anijet në Detin e Kuq. Shtetet e Bashkuara kanë sulmuar milicitë e mbështetura nga Irani në Irak dhe Siri dhe ato i vazhdojnë sulmet e tyre kundër forcave amerikane”.
“Edhe sulmet kundër iranianëve do ta kishin të njëjtën përgjigje prej tyre. Iranianët nuk do të ndalen derisa shkaku i këtyre tensioneve, që është lufta në Gazë, vazhdon”, thotë Vaez.
Administrata Biden ka marrë detyrën në vitin 2021, duke kërkuar diplomaci me Iranin, përkatësisht duke negociuar përmes Bashkimit Evropian për rikthimin e një marrëveshjeje bërthamore të vitit 2015, e cila është braktisur nga Trumpi. Edhe pse këto bisedime kanë dështuar, pjesërisht për shkak të kërkesave të Iranit për lehtësim më të madh të sanksioneve, zyrtarët amerikanë kanë vazhduar të flasin tërthorazi me Iranin për frenimin e programit të tij bërthamor.
Vaez thotë se diplomacia ka sjellë qetësi dhe përmbajtje mes dy palëve.
“Vitin e kaluar, kemi pasur periudhën më të gjatë, në të cilën SHBA-ja nuk ka përjetuar sulme kundër forcave të saj në Irak dhe në Siri – për disa muaj deri më 7 tetor [kur ka ndodhur sulmi i Hamasit në Izrael]. Dhe kjo ka ndodhur sepse SHBA-ja ka qenë e angazhuar në bisedime shtensionimi me iranianët”, vlerëson Vaez.
Në Siri janë rreth 900 ushtarë amerikanë, ndërsa në Irak 2.500. Zyrtarët amerikanë thonë se ata janë pjesë e një operacioni të vazhdueshëm për të parandaluar rishfaqjen e grupit militant, Shteti Islamik, por edhe për të ofruar një kundërpeshë ndaj ndikimit të Iranit në rajon.
Vetëm pak ditë para sulmit me dron në Jordani, SHBA-ja dhe Iraku kanë njoftuar se kanë filluar bisedimet për t’i dhënë fund koalicionit ushtarak ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja në Irak. Por, zhvillimet e fundit ka të ngjarë t’i shtyjnë planet e tilla.
Siç shkruan CNN, asnjë president nuk mund ta përballojë të duket sikur ka humbur kontrollin, kur trupat amerikane vriten./rel
Kadrijaj e AAK-së komenton skandalet me subvencione në Minis...
Osmani e Maqedonci takuan Bauerin, flasin për përkushtimin e...
I pandalshëm Edon Zhegrova – ylli kosovar gjen golin në sfid...
Banorët e Bazelit miratojnë fondet publike për Eurovision
Bajrami: Të gjithë ata që mbrojnë të korruptuarit, janë të k...
Anisa: Xheneta nuk ka pasë pëlqim të vërtetë ndaj Gjestit, p...