Google ADS

FBI po hetonte “atë që duket të jetë një tentim për të vrarë” Trumpin

23:35 | 15 Shtator 2024
E.G

Byroja Federale amerikane e Hetimit (FBI) tha se të shtënat pranë klubit të golfit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, “duket se ishin një atentat” ndaj tij.

“FBI-ja i është përgjigjur incidentit në Floridë dhe e heton atë që duket të jetë tentim për të vrarë ish-presidentin Trump”, u tha në një deklaratë.

Paraprakisht, ekipi i fushatës së Trumpit dhe Shërbimi Sekret amerikan thanë se kandidati republikan për president të SHBA-së është i sigurt.

Më herët, Shërbimi Sekret amerikan tha se ishte duke hetuar dhe se incidenti ndodhi pak para orës 14:00, sipas kohës lokale.

“Ish-presidenti është i sigurt”, tha Shërbimi Sekret.

Agjencia e lajmeve, Associated Press raportoi, duke cituar dy zyrtarë anonimë të sigurisë, se agjentët e Shërbimit Sekret amerikan kanë hapur zjarr pasi kanë parë një person të armatosur pranë klubit të golfit të Trumpit.

Ish-presidenti amerikan kishte qenë duke luajtur golf të dielën, kur ndodhi incidenti.

Personi i dyshuar ishte larguar nga vendi i ngjarjes me një makinë, por më vonë u arrestua në një qark aty pranë, thanë zyrtarët.

Në një postim në rrjetet sociale të zyrës së policisë në qarkun Martin, la të kuptohet se një i dyshuar është arrestuar rreth 70 kilometra në veri të klubit të golfit të Trumpit.

Një pushkë e stilit AK u gjet në vendin afër klubit të golfit të trupit, sipas zyrtarëve.

Klubi i golfit ishte pjesërisht i mbyllur në kohën kur Trump po luante dhe agjentët ishin afër tij kur e panë personin e armatosur me armë zjarri, thanë zyrtarët. I dyshuari dukej se kishte futur grykën e pushkës përmes vijës së gardhit në momentin kur agjentët hapën zjarr, thanë zyrtarët, raporton AP.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Joe Biden, dhe nënpresidentja Kamala Harris – njëherësh kandidatja e demokratëve për presidente – janë informuar për incidentin. Shtëpia e Bardhë shtoi se të dy kanë shprehur lehtësim pasi kanë mësuar se Trump është mirë.

Dy muaj më parë, Trump ishte cak i një atentati teksa po merrte pjesë në një tubim zgjedhor në Pensilvani dhe një plumb e plagosi lehtë në vesh.

Ish-presidenti Trump ishte kthyer në Florida këtë fundjavë nga një udhëtim fushate në pjesën perëndimore të SHBA-së, përfshirë një tubim të premten mbrëma në Las Vegas dhe një aktivitet për mbledhje fondesh në Utah.

Masat e sigurisë për kandidatin republikan për zgjedhjet presidenciale amerikane të nëntorit janë shtuar pas atentatit ndaj tij në korrik./rel

Të ngjashme