20-vjeçari i armatosur që bëri atentat ndaj ish-presidentit Donald Trump në korrik ishte i vendosur të kryente një sulm, por zgjodhi tubimin e kandidatit republikan për president, pasi mesa duket krijonte mundësinë për ta realizuar një sulm të tillë.
Zyrtarë të lartë të FBI-së e bënë të ditur këtë vlerësim për autorin Thomas Matthew Crooks të mërkurën, duke thënë se ky përfundim mbështetet në pothuajse 1,000 intervista dhe analiza të zgjeruara të kërkimeve të tij në internet dhe informacioneve në media sociale.
“Përmes analizës që u bëmë të gjitha kërkimeve të tij në internet, pamë një përpjekje të vazhdueshme dhe të detajuar për të planifikuar një sulm në një aktivitet. Ai kërkoi informacione për një numër aktivitetesh apo objektivash”, u tha gazetarëve Agjenti Special i FBI-së Kevin Rojek në një konference telefonike shtypi.
Agjenti shtoi se kur ekipi i fushatës së zotit Trump njoftoi për tubimin e 13 korrikut në Butler të Pensilvanisë, autori “u përqendrua tek ai tubim”.
Motivi e tij për kryerjen e një sulmi, mbetet mister për zyrtarët.
“Për momentin, FBI nuk ka identifikuar ndonjë motiv,” tha Robert Wells, ndihmës drejtor ekzekutiv i Degës së Sigurisë Kombëtare të FBI-së.
Zoti Wells tha gjithashtu se hetimi i FBI-së nuk ka zbuluar asnjë provë të besueshme që të lërë të kuptohet se autori i sulmit i kishte treguar dikujt për planet e tij ose se kishte pasur ndihmë nga ndonjë individ apo qeveri e huaj.
“Dua të jem i qartë. Ne nuk kemi parë ndonjë tregues që të sugjerojë se Crooks ishte nxitur nga një ent i huaj për të kryer sulmin”, tha ai.
Zyrtarët e FBI-së hodhën gjithashtu poshtë teoritë e konspiracionit që kanë qarkulluar në mediat sociale në lidhje me një autor të dytë të mundshëm.
Më 13 korrik, Crooks u ngjit në çatinë e një ndërtese me pamje nga tubimi i fushatës së zotit Trump në Pensilvani dhe hapi zjarr duke e plagosur zotin Trump në vesh, duke vrarë një pjesëmarrës në tubim dhe plagosur dy të tjerë.
Muajin e kaluar, drejtori i FBI-së, Christopher Wray u tha ligjvënësve se Crooks dukej se ishte i fiksuar pas figurave publike të profilit të lartë dhe se vetëm një javë përpara atentatit, kishte kërkuar informacion mbi vrasjen në vitin 1963 të Presidentit John F. Kennedy nga Lee Harvey Oswald.
Zyrtarët e FBI-së prezantuan të mërkurën një tablo më të detajuar të të menduarit dhe planifikimit që kishte bërë Crooks, duke thënë se autori duket se kishte filluar përgatitjet për të kryer një sulm që në shtator të vitit 2023, duke përdorur një llogari në internet për të ndjekur planet e fushatës së zotit Trump.
Duke filluar nga prilli i këtij viti, thanë zyrtarët, ai filloi të kërkonte informacion për aktivitetet e fushatës për zoton Trump dhe Presidentin amerikan, Joe Biden.
“Në 30 ditët para sulmit, subjekti kreu më shumë se 60 kërkime në lidhje me Presidentin Biden dhe ish-Presidentin Trump,” tha agjenti i FBI-së Rojek, duke shtuar se ai bëri gjithashtu kërkime për datat dhe vendet ku do të mbaheshin kuvendet kombëtare demokrate dhe republikane.
Ai tha gjithashtu se nuk ka asnjë tregues, deri më tani, se Crooks ishte i motivuar nga ndonjë prirje politike.
“Nuk kemi parë asnjë ideologji të përcaktuar të lidhur me subjektin, qoftë me prirje majtas apo djathtas,” tha agjenti Rojek duke shtuar se FBI-ja po vazhdon punën për të analizuar dhe nxjerrë përfundime./VOA/
Abdixhiku sjellë Pallatin e Ri Sportiv, Pishinën Olimpike dh...
Shuhet kureshtja, Diana dhe Arioni më të lumtur se kurrë pra...
Gjendet armë dhe 50 fishekë në valixhen e një pasagjeri në a...
Vëllaznimi shënon fitore të madhe në udhëtim tek Ylli
Gjendet pa shenja jete një 68-vjeçar në Vlorë, dyshohet se u...
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Polon...