Pasi dokumenta të brendshme të kompanisë Facebook iu shpërndanë gjerësisht mediave, vazhdon të jetë në pikëpyetje se si do të ndryshojë ky rrjet social. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Michelle Quinn njofton rreth sfidave të Facebook-ut, ndërsa ligjvënësit kërkojnë rregulla të shtuara dhe aktivistët kërkojnë publikimin më të gjerë të informacionit.
Majin e kaluar, ndërsa dhuna përfshiu Izraelin dhe territoret palestineze, aktivistët palestinezë u ankuan se Facebook-u kishte bllokuar shumë prej postimeve dhe llogarive pro-palestineze.
Kompania Facebook tha se kishte probleme me programin e saj që gjurmon përdorimin e fjalorit të gjuhës së urrejtjes.
Por disa muaj më vonë u shfaqën të dhëna se punonjësit e kompanisë kishin shqetësime më të thella.
Pasi një ish-punonjëse bëri të disponueshme dokumenta të brendshme të kompanisë Facebook, versionet pjesërisht të retushuara të dokumentave që mori Kongresi iu dhanë edhe disa organizatave të mediave.
Disa dokumenta tregojnë se si punonjësit shprehnin irritimin me praktikën e zakonshme të shtypjes së fjalës së lirë në rajon.
Dia Kayyali punon për të dokumentuar shkeljen e të drejtave të njeriut në rajon.
“E dinë që ka probleme. Japin fonde të pamjaftueshme, stafi u kërkon të bëhet një punë më e mirë dhe nuk po veprojnë kështu”, thotë Dia.
Dokumentat e Facebook-ut japin një pasqyrë të rrallë të vështirësive të kësaj kompanie gjigande të mediave sociale për të menaxhuar shërbimet e saj nëpër botë.
Frances Haugen, ish-punonjësja që nxorri dokumentat, përmendi rastin e Mianmarit.
Një raport i të drejtave të njeriut konstatoi se kompania Facebook nuk ndali përdorimin e shërbimeve të saj për të ngjallur ndasitë dhe dhunën.
Një situatë e ngjashme po ndodh në vende si Etiopia, thotë zonja Haugen, ku qarkullon keqinformimi dhe gjuha e urrejtjes, pasi kompania nuk ka sisteme për të diktuar postimet e dëmshme në gjuhët kryesore.
“Ajo që pamë në Mianmar, ajo që po shohim tani në Etiopi, janë vetëm kapitujt e parë të një historie aq tmerruese, saqë askush nuk dëshiron ta lexojë deri në fund”, tha zonja Haugen.
Një zëdhënës i tha Zërit të Amerikës se kompania lufton abuzimin jashtë Shteteve të Bashkuara, me të njëjtin intensitet si brenda Shteteve të Bashkuara.
Por për shumë aktivistë, zbulimet e bëra nga “Dokumentat e Facebook-ut” nuk janë befasuese. Ata janë ankuar për Facebook-un prej vitesh, për mënyrën se si përdoren shërbimet dhe se si abuzohet me to në hemisferën jugore.
“Po zhvillohet luftë në Facebook në disa gjuhë të ndryshme… I ashtuquajturi ‘jugu i globalizuar’ është në thelb një fushë e lirë për urrejtjen, polarizimin dhe ekstremizmin”, thotë Moustafa Ayad, nga Instituti për Dialogun Strategjik.
Ligjvënësit në mbarë botën po debatojnë se me çfarë rregullash duhet të qeveriset Facebook-u. Dhe aktivistët duan që kompania të publikojë informacione të mëtejshme.
“Duhet të punojmë së bashku për të zgjidhur problemet me moderimin e përmbajtjes, pasi interneti është, dhe duhet të jetë, global. Pra, duhen zgjidhje globale”, thotë Dia Kayyali.
Kompania Facebook, e cila ndryshoi rishtazi emrin e saj në Meta, është shprehur prej kohësh se synon të bashkojë botën më shumë. Sfida është se si mund ta realizojë këtë në mënyrë të sigurtë.
Rohde i shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe: Proce...
Rusia marrë propozime për të zhvilluar një takim mes Putin d...
100-vjetori i themelimit të Klubit të Futbollit Prishtina, K...
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok
Kurti nesër merr pjesë në përurimin e rrugëve Dragash-Brod d...