Kur Presidenti Biden të shkojë në Evropë këtë javë, do të gjejë mes aleatëve një pritje të ngrohtë, por edhe ngurim. Pararendësi i tij, Donald Trump ka lënë pas hijen e administratës së tij.
Presidenti Biden e fillon vizitën e tij të parë jashtë vendit të mërkurën, Ai do të marrë pjesë në takimin e G-7, një mbledhje të nivelit të lartë në NATO, si dhe me shefat e BE-së dhe gjithashtu një bisedë kokë më kokë në Gjenevë me udhëheqësin rus, Vladimir Putin.
Për shumicën e aleatëve të Amerikës, Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë ka qenë një imazh çlirimi. Pararendësi i tij, Donald Trump ishte shpesh burim kaosi, duke akuzuar NATO-n se përfitonte në kurriz të Shteteve të Bashkuara, duke ofenduar Bashkimin Evropian dhe duke u larguar para kohe, plot mllef, nga takimi i G-7 në Kanada në 2018.
Në dallim prej tij, zoti Biden ka theksuar mbështetjen për diplomacinë ndërkombëtarer duke u shprehur se “Amerika po rigjallëron angazhimin ndaj aleatëve dhe partnerëve” në një artikull në Washington Post këtë fundjavë.
“Mendoj se do të dëgjojmë mesazhe pozitive në vizitën e parë të zotit Biden në Evropë,” thotë Renata Dwan zëvendës drejtoreshë e grupit studimor, në organizatën “Chatham House”.
Por ka ardhur koha që Joe Biden të dëshmojë se “është më tepër se sa thjesht ‘jo Donald Trumpi’,” shtoi ajo.
Presidenti Biden ka riparuar marrëdhëniet me disa aleatë. SHBA u rikthye në Marrëveshjen e Parisit për klimën, nga e cila e nxori ish-Presidenti Trump. Po ashtu, administrata aktuale i dha fund një përplasjeje të vogël tregtare me BE-në lidhur me konkurrencën në aviacion si dhe po mbështet përpjekjet për të ringjalluar marrëveshjen me Iranin për kontrollin e ambicjeve bërthamore të këtij vendi. Marrëveshja u braktis dhe u kritikua ashpër nga administrata e mëparshme.
Por ka pasur edhe ngërçe. Kryeministri britanik Boris Johnson, i cili do të kryesojë takimin e G-7 në Kornuoll që fillon më 11 qershor, synon t’i japë kuptim të ri këtij klubi ekskluziv me vendet më të fuqishme të botës, i cili ishte denigruar nga Presidenti Trump, pasi ai nuk kishte respekt e besim tek aleancat shumëpalëshe.
Zoti Johnson e mirëpret vëmendjen e administratës Biden kundër ndryshimeve klimatike, që ndihmon edhe për promovimin e takimit global për klimën COP26 që zhvillohet në Skoci në muajin nëntor. Po ashtu, premtimi i Presidentit Biden se Amerika do t’i dërgojë botës një pjesë të rezervave të saj me vaksina përputhet me thirrjet e zotit Johnson që G-7 të mobilizohet për të mundësuar imunizimin e mbarë globit brenda vitit 2022.
Për më tepër, udhëheqësi britanik shpresn që zoti Biden të bjerë dakord për një korridor transatlantik udhëtimesh për të ndihmuar turizmin dhe biznesin pas pandemisë. Ai ka kërkuar gjithashtu arritjen e një marrëveshjeje tregtare SHBA-Britani, të cilën e ka reklamuar si fitore për Britaninë pas Brexitit.
Por, një marrëveshje e tillë tregtare nuk është përparësi në axhendën e zotit Biden. Kryeministrit Johnson do t’i duhet të punojë fort për të bërë për vete udhëheqësin amerikan që e ka quajtur në të kaluarën “klon fizik e emocional” i Donald Trumpit.
Zoti Biden e ka kritikuar Brexitin dhe ka shprehur shqetësim të veçantë për ndikimin mbi Irlandën e Veriut. Si rezultat i vijës kufitare që Irlanda e Veriut ndan me Irlandën – një vend anëtar i BE-së — ky territor britanik ka përfituar një status special ekonomik me BE-në gjë që ka rritur tensionet politike në Britani.
Zoti Biden, i vetëdijshëm mbi rolin kyç që luajtën Shtetet e Bashkuara për arritjen e marrëveshjeve që ndalën dhunën në Irlandën e Veriut, ka paralajmëruar se nuk do të ketë marrëveshje tregtare me Britaninë nëse Brexiti kërcënon marrëveshjet e paqes në Irlandën e Veriut.
SHBA ka divergjenca edhe me aleatë të tjerë evropianë. Zoti Biden ka filluar të forcojë lidhjet në NATO, pasi Aleanca u përfshi nga zemërimi dhe habia e shkaktuar nga qëndrimi i Presidentit Trump “secili për vete” dhe marrëdhëniet e tij të paqarta me Presidentin rus, Vladimir Putin. Presidenti Biden i ka siguruar aleatët në NATO se mbetet në fuqi doktrina e mbrojtjes së përbashkët nëse përballen me agresionin rus.
Politikanët në Britani e BE e mbështesin përgjithësisht thirrjen e zotit Biden për marrëdhënie “të stabilizuara e të parashikueshme” me Rusinë, por nuk kanë shumë shpresa për një arritje madhore në takimin me Putinin.
Shtetet e Bashkuara i janë përmbajtur thirrjes që vendet evropiane dhe Kanadaja duhet të paguajnë më shumë për të përballuar koston e operacioneve mbrojtëse të NATO-s, gjë që përsëritej me të madhe nga ish-Presidenti Trump.
Po ashtu ka fërkime të vazhdueshme lidhur me tubacionin Nord Stream 2 që po ndëtohet për të sjellë gaz nga Rusia në Gjermani nën Detin Baltik. Ky tubacion vazhdon të kundërshtohet nga të dyja forcat kryesore politike amerikane, pasi shihet si një objekt që do ta bëjë Evropën më të varur tek Rusia.
Ndërkaq, evropianët janë treguar më të kujdesshëm në ballafaqimin me Kinën dhe përgjigjen e tyre ndaj një Pekini që po tregon më vetëbesim dhe ambicje më agresive ekonomike.
Analistja Dwan thotë se evropianët “nuk duan ta gjejnë veten në mes të një ballafaqimi mes dy superfuqive. Evropa e ka provuar këtë në të kaluarën”.
Edhe Britania, e cila i ka përjashtuar firmat kineze nga rrjeti i saj 5G dhe u ka hapur dyert atyre që duan të largohen nga Hong Kongu të ndeshur me fushatën shtypëse të drejtuar nga Pekini, nuk është krejt e gatshme të përqafojë qëndrimin e fortë që po mban Uashingtoni ndaj Kinës.
Thomas Gift, pedagog për politikat në Londër, thotë se megjithë fjalët e ngrohta që u ka përcjellë aleatëve Presidenti Biden, vëmendja e tij kryesore është tek politika e brendshme: vaksinimi i amerikanëve, rigjallërimi i ekonomisë së dërrmuar nga pandemia dhe investimet në infrastrukturën e vjetëruar të vendit.
“Ai po qeveris si një president për amerikanët,” thotë zoti Gift.
Analisti shton se vitet nën Presidentin Trump i kanë bërë evropianët ta shohin ndryshe Amerikën: “Mendoj se opinioni publik në Evropë është dëmtuar. Megjithatë, udhëheqësit evropianë, në masë të madhe duan të punojnë me Shtetet e Bashkuara. Ata e kanë të qartë se SHBA është superfuqia më e rëndësishme globale, megjithëse kjo fuqi po gërryhet nga dalja në skenë e Kinës si superfuqi”./voa/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...