Evropë: Mbi 300 mijë të vdekur nga koronavirusi

10:26 | 7 Nëntor 2020
Arbresh.info

Në Evropë është tejkaluar shifra e 300,000 të vdekurve nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, teksa shtetet nga Rusia e deri tek Italia, kanë regjistruar rekord të personave të infektuar brenda një dite.

I gjithë kontinenti evropian tani pothuajse ka rikthyer kufizimet në lëvizje, me qëllim të frenimit të pandemisë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar për një rekord të ri të personave të infektuar brenda një dite në nivel global.

Evropa ka regjistruar 300,688 të vdekur nga virus, bazuar në të dhënat e agjencisë së lajmeve AFP, ndërkohë që dy të tretat e viktimave janë regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar, Itali, Francë, Spanjë dhe Rusi.

Rritja e shkallës së infektimit ka ndikuar në mbushje të kapaciteteve spitalore në këtë kontinent.

Kjo pasi, zyrtarët shëndetësorë janë duke paralajmëruar se vala e dytë e infektimit është më e fuqishme dhe më serioze.

Ndonëse Ministria e Shëndetësisë së Gjermanisë ka paralajmëruar se dyfishimi i numrit të pacientëve me COVID-19, në njësitë e kujdesit intensiv çdo 10 ditë, është i papërballueshëm, spitalet në këtë shtet kanë vazhduar të pranojnë pacientë të sëmurë nga kufiri francez.

Më shumë se 85 për qind e shtretërve për kujdes intensiv në Francë janë të zënë me pacientë të infektuar me koronavirus, apo mbi 4,000.

Të hospitalizuar janë mbi 30,000.

Situata është duke u përkeqësuar edhe në Rusi, aktualisht vendin e katërt me më së shumti të infektuar në botë.

Rusia ka raportuar 20,396 persona të infektuar më 7 nëntor, duke e çuar në mbi 1.7 milion, numrin e personave të prekur nga COVID-19.

Për dallim nga pjesët tjera të Evropës, Rusia nuk ka vënë kufizime në lëvizje dhe as nuk ka mbyllur bizneset.

Autoritetet ruse kanë thënë se nuk ka nevojë për diçka të tillë, sepse sistemi shëndetësor mund t’i përballojë rastet./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme