Shtetet në Evropë pothuajse kanë dyfishuar importet e tyre të armëve kryesore në mes viteve 2014-2018 dhe 2019-2023. Sa u përket eksporteve, Shtetet e Bashkuara dhe Franca prin, ndërkaq eksportet e Rusisë kanë shënuar rënie.
Kështu u tha në raportin e të Institutit Ndërkombëtar për Kërkim të Paqes (SIPRI), të publikuar më 11 mars.
Sipas raportit, SHBA-ja ka arritur eksportet e saj të armëve për 17 për qind mes viteve 2014-2018 dhe 2019-2023. SIPRI tha se Rusia për herë të parë është eksportuesja e tretë më e madhe e armëve, pas Francës.
Afër 55 për qind e armëve të importuara nga shtetet evropiane në periudhën 2019-2023 ishin nga Shtetet e Bashkuara, shifër që është shumë më e lartë krahasuar me 35 për qind sa ishte në periudhën paraprake 2014-2018.
“Mbi gjysma e importeve të armëve nga shtetet evropiane vjen nga SHBA-ja”, theksoi drejtori i SIPRI-t, Dan Smith, “ndërkaq, në të njëjtën kohë, Evropa është përgjegjëse për pothuajse një të tretën e eksporteve botërore të armëve, përfshirë volume të mëdha që shkojnë jashtë rajonit, që reflektojnë aftësinë e fortë të industrisë ushtarake të Evropës”.
“Shumë faktorë formësojnë vendimet e shteteve evropiane të NATO-s që të importojnë nga SHBA-ja, veçmas është qëllimi për të mbajtur raportet transatlantike krahas çështjeve më taktike, ushtarake dhe atyre që lidhen me koston. Nëse raportet transatlantike ndryshojnë në vitet në vijim, politikat evropiane për blerjen e armëve po ashtu mund të modifikohen”, shtoi Smith.
Eksportet e armëve
Përderisa në raport u tha se SHBA-ja përjetoi një rritje prej 17 për qind të eksporteve mes viteve 2014-2018 dhe 2019-2023, dhe pjesa e saj në totalin global të eksporteve të armëve u rrit nga 34 në 42 për qind.
Nga viti 2019 deri më 2023, SHBA-ja ka eksportuar armë kryesore në 107 shtete të botës, apo më shumë sesa çdo pesëvjeçar paraprak dhe se çdo eksportues i armëve. SHBA-ja dhe shtetet e Evropës Perëndimore së bashku përbëjnë 72 për qind të të gjitha armëve të eksportuara në këtë periudhë, nga 62 për qind sa ishte më 2014-2018.
“SHBA-ja ka rritur rolin e saj si furnizuese e armëve – një aspekt i rëndësishëm në politikën e saj të jashtme – duke eksportuar më shumë armë në më shumë shtete sesa ka bërë ndonjëherë”, tha Mathew George, drejtor në Programin për transferet e armëve në SIPRI.
“Kjo po ndodh në një kohë kur dominanca ekonomike dhe gjeopolitike e SHBA-së është sfiduar nga fuqi që po dalin në sipërfaqe”.
Sa i përket Francës, ajo për herë të parë u bë eksportuesja e dytë më e madhe në botë e armëve, me një rritje prej 47 për qind mes periudhave 2014-2018 dhe 2019-2023.
Parisi pjesën më të madhe të armëve i ka shitur në Azi dhe Oqeani (42 për qind), pasuar nga shtetet e Lindjes së Mesme, ku ka eksportuar 34 për qind të armëve të tij.
Pranuesja më e madhe e armëve franceze është India, me pothuajse 30 për qind. SIPRI tha se rritja e eksporteve të armëve nga Franca ka ndodhur kryesisht për shkak të dërgesave të avionëve luftarakë në Indi, Katar dhe Egjipt.
“Franca po e shfrytëzon kërkesën e lartë globale për të rritur industrinë e saj të armëve përmes eksporteve”, tha hulumtuesja në SIPRI, Katarina Gjokoviq. “Franca veçmas ka qenë e suksesshme në shitjen e avionëve luftarakë jashtë Evropës”.
Eksportet e armëve në Rusi kanë rënë për 53 për qind në dy periudhat e përfshira në raport. Kjo rënie ka qenë e shpejt gjatë pesë vjetëve të fundit dhe përderisa Rusia më 2019 kishte eksportuar në 31 shtete, më 2023 armët ruse u dërguan vetëm në 12 shtete, u tha në raportin e SIPRI-t.
Shtetet në Azi dhe Oqeani kanë pranuar 68 për qind të eksporteve të përgjithshme të armëve ruse më 2019-2023, ndërkaq vetëm India ka pranuar 34 për qind dhe Kina 21 për qind.
Nëse shikohen dhjetë eksportuesit e tjerë pas SHBA-së, Francës dhe Rusisë, dy prej tyre kanë pasur rritje të eksporteve, Italia me 86 për qind dhe Koreja e Jugut me 12 për qind. Ndërkaq, pesë shtete kanë pasur rënie të eksporteve të armëve: Kina (-5.3 për qind), Gjermania (-14 për qind), Mbretëria e Bashkuar (-14 për qind), Spanja (-3.3 për qind) dhe Izraeli (-25 për qind).
Rritje e madhe e importeve të armëve në Evropë
Në raportin e titulluar “Trendët e transferit të armëve 2023”, sa i përket importeve të armëve në Evropë, u tha se ato janë rritur për 94 për qind në dy periudhat e përmendura në raport. Kjo është rritja e katërta më e madhe në botë, pasi të paktën 30 shtete kanë ofruar armë si ndihmë ushtarake për Ukrainën që nga viti 2022, kur edhe Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të këtij shteti.
Sipas raportit, 55 për qind e armëve të importuara nga shtetet evropiane më 2019-2023, ishin të furnizuara nga SHBA-ja apo një rritje prej 35 për qind krahasuar me periudhën paraprake. Blerëset më të mëdha në rajon ishin Gjermania dhe Franca me 6.4, respektivisht 4.6 për qind.
“Me shumë armë me vlerë të larta që janë porositur – përfshirë edhe pothuajse 800 avionë dhe helikopterë luftarakë – importet evropiane të armëve ka të ngjarë që të qëndrojnë në nivele të larta”, tha Pieter Wezeman, hulumtues i lartë në SIPRI. “Në dy vjetët e fundit, ne po ashtu kemi parë një kërkesë shumë më të madhe në Evropë për sisteme të mbrojtjes ajrore, nxitur nga fushata raketore ruse kundër Ukrainës”.
Nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia gjendet në raportin e SIPRI-t në pjesën e pranueseve të importeve të armëve. Sipas raportit, ajo ka qenë pranuese e 22 për qind të importeve të armëve të Bjellorusisë, apo shteti i dytë pas Vietnamit.
Sa i përket Azisë, 37 për qind e të gjitha dërgesave me armë shkuan në shtetet aziatike dhe në Oqeani, që është përqindja më e lartë për një rajon të vetëm. Megjithatë, kjo shifër paraqet rënie prej 41 për qind krahasuar me vitet 2014-2018.
Por, për herë të parë në një çerek shekulli, SHBA-ja u bë furnizuesja më e madhe e Azisë dhe Oqeanisë me armë me 34 për qind të importeve në shtetet e këtij rajoni, krahasuar me Rusinë që pati 19 për qind dhe Kina 13 për qind të importeve.
SIPRI tha se India është importuesja më e madhe në botë e armëve, me një rritje të importeve prej 4.7 për qind. Edhe pse Rusia është furnizuesja kyçe e Nju Dehlit, për herë të parë që nga vitet 1960-1964, armët e Moskës përbëjnë më pak se gjysmën e importeve të armëve të Indisë. Po ashtu, Pakistani, që është importuesi i pestë në botë i armëve, sipas SIPRI-t shënoi një rritje prej 43 për qind. Kina është furnizuesja kyçe e Pakistanit me 82 për qind të importeve.
Po ashtu, dy fqinjët e Kinës, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë rritur importin e armëve me 155, respektivisht 6.5 për qind. Ndërkaq, importet e armëve nga Pekini u tkurrën me 44 për qind, kryesisht për shkak se importet – që kryesisht vinin nga Rusia – u zëvendësuan me sisteme të prodhuara brenda vendit.
“Ka pak dyshim që nivelet e larta të importeve të armëve nga Japonia dhe aleatët e tjerë të SHBA-së në Azi dhe Oqeani janë ndikuar kryesisht nga një faktor kyç: shqetësimi mbi ambiciet e Kinës”, tha hulumtuesi i SIPRI-t, Siemon Wezerman.
Ndërkaq, sa i përket Lindjes së Mesme, 30 për qind e dërgesave ndërkombëtare të armëve shkuan në shtetet e këtij rajoni. Në dhjetëshen kryesore të importuesve, tre janë nga ky rajon: Arabia Saudite, Katari dhe Egjipti. Riadi është importuesi i dytë më i madh në botë i armëve me 8.4 për qind të importeve botërore, por kjo nënkupton rënie prej 28 për qind krahasuar me periudhën paraprake. Katari, importuesi i tretë më i madh në botë, në periudhën 2019-2023 ka rritur importet me 396 për qind.
Edhe në këtë rajon, furnizuesja kryesore e armëve është SHBA-ja (52 për qind), pasuar nga Franca (12 për qind), Italia (10 për qind) dhe Gjermania (7.1 për qind).
SIPRI tha se nëse merret në përgjithësi rajoni i Lindjes së Mesme, aty është shënuar rënie e importeve, megjithatë ato janë të larta në disa shtete, kryesisht për shkak të tensioneve dhe konflikteve rajonale.
“Shumica e armëve të importuara në dhjetë vjetët e fundit janë përdorur gjerësisht në konfliktet në rajon, përfshirë në Gaza, Libi dhe Jemen. Disa shtete të rajonit të Gjirit kanë importuar volume të mëdha armësh për t’i përdorur kundër rebelëve të Huthit në Jemen dhe për të luftuar ndikimin iranian”, tha hulumtuesi i SIPRI-t, Zain Hussain.
Këto shifra për rajonin e Lindjes së Mesme, publikohen në kohën kur në këtë rajon po zhvillohet një luftë e përgjakshme mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – në Rripin e Gazës.
Tensionet janë rritur edhe më shumë në rajon, teksa në Liban, grupi militant Hezbollah – që sikurse Hamasi, mbështetet po ashtu nga Irani – po këmben zjarr në kufi me Izraelin pothuajse në baza ditore.
Ndërkaq, rebelët e Huthit në Jemen po sulmojnë anijet tregtare dhe ato të marinës së SHBA-së dhe Britanisë në Detin e Kuq, në shenjë solidariteti me palestinezët në Gazë./REL
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...