Autoritetet në Shqipëri njoftuan se një grua shqiptare me katër fëmijët e saj të mitur janë evakuuar nga Rripi i Gazës dhe do të udhëtojnë drejt Shqipërisë.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, tha se për nxjerrjen e tyre nga Gaza e rrethuar u deshën tri javë përpjekje, përderisa lufta mes Izraelit dhe Hamasit – organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – po vazhdon në Gazë.
“Mirënjohje për autoritetet e Izraelit dhe Egjiptit dhe ambasadave shqiptare në dy shtetet për punën e mirë në këtë situatë dhe operacion kompleks”, tha Hasani.
Nëna dhe katër fëmijët e saj ndodhen në Egjipt dhe po vijojnë procedurat që të dërgohen drejt Shqipërisë. Burimet bëjnë me dije se gruaja nuk ka pasaportë shqiptare, por emri i saj figuron në regjistrat e gjendjes civile në Shqipëri. Ajo ka baba palestinez dhe nënë shqiptare. Babai i saj ka qenë student në Shqipëri në vitet ’70 dhe pas martesës bashkë me bashkëshorten e tij janë zhvendosur në territoret palestineze.
Mësohet se bashkëshorti i shqiptares së evakuuar është palestinez dhe ka qenë e pamundur që të largohet nga Gaza pasi nuk është lejuar nga autoritetet.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë tha se po punohet për kthimin e shpejt dhe të sigurt të shtetasve të tjerë që ndodhen në Gazë. Mes tyre është edhe vëllai i gruas që u evakuua nga Gaza, bashkë me familjen e tij.
Më herët, ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, ka thënë se nuk ka të dhëna për shtetas të tjerë shqiptarë në Gazë, por kanë qenë vetë këta shtetas që kanë kontaktuar ambasadat në Izrael dhe Egjipt për të kërkuar ndihmë.
Ndërkaq, që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas në fillim të tetorit, nga Izraeli janë larguar 71 shqiptarë, 40 prej të cilëve arritën në Tiranë më 8 tetor përmes një fluturimi direkt nga Tel Avivi. Dy ditë më vonë, u evakuan edhe 20 të tjerë përmes një fluturimi të organizuar nga Greqia dhe 11 shtetas shqiptarë u evakuuan përmes një fluturimi të realizuar nga Mali i Zi./REL/
Kurti mirëpriti në takim lamtumirës Ambasadorin e Bullgarisë...
Dy të plagosurit në Vranjevc po i ruan policia në QKUK, u ca...
Shtyhet seanca ndaj Kobrës, seancën e radhës pritet të dëgjo...
Aliu: Mbi 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës në hyrje të...
Sot shorti i Ligës së Kombeve: Me kë do t’i bie Kosovës?
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të bujqësisë, eko...