Google ADS

Evakuohen banorët nga Hersoni pasi Rusia shkatërron një digë

08:18 | 6 Qershor 2023
Diellza Gashi

Oleksandr Prokudin, guvernatori i Hersonit, rajon në lindje të Ukrainës, ka njoftuar për evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara nga përmbytjet, pas raportimeve se forcat ruse shkatërruan një sigë të lumit Dnjepër në Nova Kahovka.

“Brenda pesë orëve, niveli i ujit do të arrijë një nivel kritik. Ka filluar evakuimi nga zonat e rrezikshme. Unë u bëj thirrje veçanërisht banorëve në bregun e majtë [të Dnjeprit]: bëni gjithçka që është e mundur për ta mbrojtur veten dhe për ta shpëtuar jetën tuaj. Largohuni menjëherë nga zonat e rrezikshme”, tha Prokudin në Telegram.

“Unë mund ta konfirmoj se shpërthimi [ka ndodhur]…. Të gjitha shërbimet janë duke punuar. Situata po monitorohet. Hidrocentrali u hodh në erë nga pushtuesit”, i tha Radios Evropa e Lirë Natalia Humenyuk, zëdhënëse ushtarake për forcat jugore të Ukrainës.

Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit ukrainas të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, tha se Presidenti Volodymyr Zelensky kishte thirrur një takim urgjent të Këshillit për ta diskutuar situatën.

Incidenti në në Herson pason mohimet nga Kievi për pretendimet e Rusisë se forcat e saj e kishin zmbrapsur një ofensivë të shumëfisht ukrainase në rajonin lindor të Donjeckut.

Kievi i hodhi poshtë këto pretendime, duke i quajtur atë një përpjekje për dezinformim ndërsa mohoi se kishte nisur kundërsulmin e shumëpritur për të rimarrë territorin e humbur që nga pushtimi i Moskës në shkurt të vitit 2022.

Megjithatë, Kievi tha më 5 qershor se forcat ukrainase po “kalonin në veprime sulmuese” në disa zona dhe po kryenin operacione në shkallë të vogël.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme