Google ADS

Europianët të shqetësuar se kriza e kostos së jetesës do të shkaktojë trazira sociale

01:10 | 3 Shtator 2022
Trina Galanxhi

Shumë europianë janë të shqetësuar se inflacioni i lartë për shkak të krizës aktuale të energjisë mund të nxisë trazira sociale, protesta dhe greva.

Gjetjet kanë ardhur pas një sondazhi të kryer në Francë, Gjermani, Poloni dhe në Britani të Madhe, transmeton portal arbresh.info

I kryer nga anketuesi YouGov për organizatën jofitimprurëse More in Common, sondazhi tregoi se kostoja e jetesës është bërë çështja më e rëndësishme për europianët në katër vendet e anketuara.

Shumica e njerëzve të anketuar në të katër vendet thanë se ishin të shqetësuar për trazirat sociale në muajt e ardhshëm. Në Francë, katër në dhjetë persona thanë se donin të shihnin një rikthim të lëvizjes protestuese të Jelekëve të Verdhë.

Europianët janë duke e ndjerë krizën e energjisë. Një në pesë persona thanë se kanë filluar të shpenzojnë edhe kursimet, ndërsa një në dhjetë thanë se kanë filluar të hanë një vakt më pak.

Shumica e të anketuarve në Poloni dhe Gjermani thanë se po bënin blerje për oferta më të mira për sendet ushqimore, ndërsa shumica e të anketuarve thanë se prisnin të reduktonin ngrohjen këtë dimër për shkak të çmimeve të larta të energjisë.

Sondazhi gjithashtu gjeti se qytetarët e katër vendeve të anketuara e kanë humbur besimin te qeveritë e tyre, duke u dhënë kështu hapësirë fituese partive populiste.

Pesimizmi duket se është i përhapur, pasi pak europianë presin që kriza e kostos së jetesës të përfundojë shpejt./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme