Në intervistën e tij ekskluzive për albinfo.ch, politikani dhe eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, flet për sfidën e tij zgjedhore, për shtetet e Ballkanit Perëndimor, problemet e tyre në rrugën e integrimit në BE dhe në veçanti, për miqësinë e tij me Kosovën dhe me shqiptarët.
Lukas Mandl, i lindur në vitin 1979, është politikan relativisht i ri austriak. Ai, nga viti 2017 ka qenë deputet në Parlamentin Evropian, ku është zgjedhur si përfaqësues i partisë austriake në pushtet ÖVP (partia e kancelarit Kurz).
Aktualisht ai po zhvillon garë për t`u rizgjedhur në Parlamentit Evropian, në kuadrin e zgjedhjeve që mbahen këtë të dielë, më 26 maj.
Mandl, për publikun shqiptar në Austri e më gjerë, njihet për miqësinë që kultivon me shqiptarët dhe Kosovën. Ai është bashkëthemelues dhe kryetar i shoqatës së Miqësisë Austri – Kosovë.
Në intervistën e tij ekskluzive për albinfo.ch, Lukas Mandl flet për sfidën e tij zgjedhore, për shtetet e Ballkanit Perëndimor, problemet e tyre në rrugën e integrimit në BE dhe në veçanti, për miqësinë e tij me Kosovën dhe me shqiptarët.
albinfo.ch: Përshëndetje, z. Lukas Mandl! Faleminderit që pranuat lutjen tonë për intervistë. Zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Evropian mbahen më 26 maj 2019. Çfarë prisni nga këto zgjedhje?
Lukas Mandl: Pres që ne, evropianët, t’i dërgojmë botës mesazhin e qartë se ne po krijojmë kontinentin tonë në këtë botë me forcë politike, forcë ekonomike dhe ndihmë humanitare. Për ta bërë këtë, forcat konstruktive të qendrës duhet të forcohen në Parlamentin Evropian.
Popullzimi dhe centralizmi në skajet e majta dhe të djathta po e vënë Evropën nën presion nga brenda. Nga jashtë, Evropa është ekonomikisht nën presion të SHBA-së dhe Kinës, politikisht ka presion nga Rusia dhe Turqia, ndërsa ekziston edhe presioni i migrimit nga bota arabe dhe nga Afrika.
Motoja ime e punës është: “Kuq-bardhë-kuq (v.j. ngjyrat e flamurit austriak) në Parlamentin Evropian”, sepse detyrat më të bukura parlamentare që ia kam dhënë vetës janë që të punoj për të gjithë austriakët. Unë kandidoj që të rizgjidhem sërish me votim preferncial. Në bashkëpunim të ngushtë me Sebastian Kurzin dhe ekipin e tij, unë jam duke punuar për një Evropë me më shumë liri të brendshme, d.m.th. kundër centralizmit, burokracisë dhe mbizotërimit dhe me më shumë forcë për jashtë. Këtu duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë, sidomos në Evropë – me gjashtë shtetet e Evropës Juglindore – për të krijuar qartësi për integrimin evropian. Asnjë shtet nuk guxon të lihet prapa. Shtetet duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin në vend që ta pengojnë njëri-tjetrin.
albinfo.ch: Me çfarë rezultati do të ishit të kënaqur të dilni më 26 maj?
Lukas Mandl: Për mua personalisht, çështja lidhet me rizgjedhjen me votat preferenciale. Unë mund ta vazhdoj punën time vetëm nëse e arrij një mandat me votat e tilla. Gara është shumë, shumë e ngushtë. Në gjithë Austrinë dhe të gjithë qytetarët austriakë munden ta shkruajnë “Mandl” në fushën e votimit preferncial në fletëvotim. Unë do të gëzohesha po të rizgjidhem. Megjithatë, vendimi mbetet tek votuesit. Përveç kësaj, për mua është e rëndësishme që shumica e parlamentit evropian të votojnë për Manfred Weber si President i Komisionit. Po ashtu edhe kjo garë është duke përfunduar. Veçanërisht për fuqinë e Evropës nga jashtë dhe sidomos për Evropën Juglindore, Manfred Weber është zgjedhja e duhur për kreun e Komisionit të BE-së.
albinfo.ch: Cilën e shihni si sfidën më të madhe të BE-së në të ardhmen?
Lukas Mandl: Që ne të mos kemi më tutje ngërçe nga brenda me gjithnjë më shumë rreguklla të tepërta, por t’i japim përparësi lirisë dhe mundësive, dhe që ne të arrijmë në botë me forcën politike që korrespondon me forcën tonë ekonomike, e cila është e rëndësishme për vlerat evropiane që unë luftoj, për hir të të gjithë evropianëve. Populizimi dhe centralizmi nga skajet e majta dhe të djathta kërcënojnë këtë pikëpamje pozitive për të ardhmen. Është e rëndësishme t’i kundërvihen këtyre skenarëve negativë me një punë politike të afërsisë, dëgjimit dhe zbatimit të përkushtuar.
albinfo.ch: Pse duhet të votohet për ju, si deputet austriak, por edhe si anëtar i qeverisjes ÖVP?
Lukas Mandl: Unë jam një ndërtues aktiv i urës midis Evropës juglindore dhe BE-së së sotme. Unë jam duke punuar në të dyja anët për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e perspektivës së pranimit për gjashtë shtetet e Evropës Juglindore dhe gjithashtu përpiqem të ndërmjetësoj mes vendeve të Evropës Juglindore, sepse paaftësia reciproke është negative për njerëzit në rajon. Asnjë shtet nuk bën të lihet prapa. Vetëm në këtë mënyrë mund të krijojmë stabilitet, qëndrueshmëri të së drejtës në sistemet demokratike, dhe kështu mund të sjellim investime e vende pune. Unë qëndroj i pasionuar prapa kësaj që thashë. Kjo është pjesë e punës sime në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Pika të tjera të fokusimit tim, janë edukimi dhe digjitalizimi, qëndrueshmëria dhe politika rajonale, si dhe reforma e BE-së.
Sebastian Kurz tërheq një vijë për të gjithë Evropën dhe e bën të qartë, se në kohë të ndryshme edhe ne kemi nevojë për marrëveshje të ndryshme të cilat i duhen Bashkimit Evropian. Marrëveshjet e BE përbëjnë shtyllën e Bashkimit Evropian. Ato duhet të përgatiten për sfidat e reja me të cilat ballafaqohet Evropa si një vend biznesi dhe pune, çështja e digjitalizimit dhe çështje të ndryshimit të klimës.
albinfo.ch: Ju jeni i njohur si mik i shqiptarëve dhe në një mënyrë si përfaqësues i shqiptarëve në BE. Cila është lidhja juaj me shqiptarët dhe kosovarët?
Lukas Mandl: Një nga miqtë e mi më të vjetër dhe më të mirë në Austri, Arbër Marku, është shqiptar dhe ka rrënjët e tij në Dibër të Maqedonisë. Disa vjet më parë një tjetër mik më pyeti nëse do të isha i gatshëm të formoja Shoqatën e “Miqësisë Austro-kosovare”. Ishte një gëzim i madh për mua ta merrja këtë detyrë, sepse shpejt kuptova se tashmë kishte shumë miq të Kosovës në Austri dhe kështu kemi një qasje jopartiake dhe ndërdisiplinore, me përfaqësues nga shoqëria civile, shkenca, biznesi dhe sektorë të tjerë. Sot unë jam një anëtar i delegacionit përkatës në Parlamentin Evropian dhe jam i përfshirë në negociatat relevante në BE.
albinfo.ch: Ju jeni kryetar i shoqatës “Miqësia Austriake – kosovare “. Cilat janë aktivitetet e juaja dhe si ka ardhur ideja e themelimit të kësaj shoqate?
Lukas Mandl: Promovimi i kujdesit shëndetësor në Kosovë; hapat e parë drejt krijimit të një zone të banimit social; Hapat për të ndërmjetësuar midis grupeve që ndajnë një histori të keqe, bëhet fjalë për hapa që lidhen me thyerjen e paragjykimeve; rrjetëzimin e miqve të Kosovës në Austri dhe bashkimin e shokëve të rinj nga e gjithë bota.
albinfo.ch:Ju mbani një bashkëpunim intensiv me Evropën Juglindore, veçanërisht me Kosovën. Si e shprehni ju këtë?
Lukas Mandl: Siç e shpreha edhe më lartë, kjo bëhet falë punës së shoqërisë civile të shoqatës së “Miqësisë” dhe në punën politike në Parlamentin Evropian.
albinfo.ch: Sipas mendimit tuaj, çfarë kërkohet për t`i mundësuar Evropës Juglindore dhe kështu edhe Kosovës, që të ketë një të ardhme më të ndritur?
Lukas Mandl: Sundimi i ligjit, investimet, vendet e reja të punës, dhënia fund konflikteve të vjetra, pastaj mbështetja e plotë reciproke e të gjashtë shteteve të Evropës Juglindore dhe sigurisht vëmendjen e plotë të institucioneve të BE-së, pra të Parlamentit Evropian, Komisionit dhe Këshillit, për ti dhënë për Evropën Juglindore dhe për të gjithë Evropën.
albinfo.ch: Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk ka liberalizimin e vizave. Pse ndodh kjo dhe çfarë presim nga Parlamenti i ardhshëm i BE-së?
Lukas Mandl: Republika e Kosovës ende nuk është njohur nga pesë shtete anëtare të BE. Në procesin e integrimit, ka kritere për secilin shtet. Sa i përket Kosovës, disa kritere duhet të plotësoheshin për fazën e ndërmjetme të liberalizimit të vizave. Kolegët në Kuvendin e Kosovës morën disa vite për të përmbushur këto kritere. Tani çështja është kthyer në tavolinën e Këshillit Evropian. Kjo për shkak se Komisioni Evropian dha dritën e gjelbër dhe, me mbështetjen time të fuqishme, Parlamenti Evropian votoi me një shumicë të madhe për udhëtimin pa viza. Shtetet anëtare janë mbledhur në Këshillin Evropian. Ne duhet të punojmë shumë me disa prej tyre, në mënyrë që ata të bashkohen me shumicën dërmuese të bashkësisë ndërkombëtare dhe të njohin Republikën e Kosovës, ashtu si dhe afër 120 shtete në këtë tokë.
albinfo.ch: Austria ka qenë gjithmonë forca lëvizëse që kishte një marrëdhënie të mira me Kosovën. Tash, marrëdhëniet nuk duken aq të mira sa më parë. Çfarë ka ndryshuar?
Lukas Mandl: Marrëdhëniet kanë qenë të mira dhe po ashtu qëndrojnë. Austria është në rolin ndërmjetësues në Evropën Juglindore dhe ka miqësi të madhe edhe me Kosovën. Kryeministri austriak i sotëm është më aktiv këtu se çdo tjetër më parë. Dhe asnjëherë nuk ka qenë një anëtar i Parlamentit Evropian i cili ka qenë aq i angazhuar për këtë si unë. Ulrike Lunacek ka bërë punë të ngjashme. Por ajo nuk është më në politikë dhe ishte nga një parti e vogël. Por me të vërtetë e vlerësoj punën e saj në këtë fushë. Përshtypja ime është tashmë se klima është përkeqësuar brenda rajonit. Këtu duhet të ndërmjetësojmë nga BE dhe Austria merr një rol të rëndësishëm. Ne mund të hapim dyert. Por shtetet e rajonit dhe qytetarët e tyre duhet të kalojnë vetë nëpër këto dyer. Linjat konfliktuoze kombëtare, me baza etnike ose fetare janë absurde dhe të dëmshme dhe duhet më në fund t`i lihen të kaluarës. Dhe e theksoj përsëri: asnjë shtet nuk mund të mbetet mbrapa në rrugën e integrimit evropian.
albinfo.ch: Në cilat aspekte mendoni se Austria është aq e rëndësishme për Kosovën dhe Evropën Juglindore në përgjithësi?
Lukas Mandl: Në të gjitha aspektet e përmendura tashmë dhe gjithashtu në nivelin njerëzor. Ka shumë ura njerëzish, marrëdhënie personale dhe lidhje të forta midis këtyre pjesëve të Evropës nëpërmjet njerëzve në Austri, me rrënjët e tyre në Evropën Juglindore dhe veçanërisht në Kosovë. Marrëdhënia midis njerëzve është thelbësore për gjithçka në shoqëri, duke përfshirë shoqërinë tonë të përbashkët evropiane.
albinfo.ch: Kohët e fundit, ka pasur mendime të ndryshme rreth shkëmbimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Cili është mendimi juaj për këtë?
Lukas Mandl: Në histori, ndërrimet kufitare në Evropën Juglindore kanë qenë gjithmonë pjesë e problemeve, asnjëherë pjesë e zgjidhjeve. Por, gjatë historisë po ashtu ka pasur pjesë të problemeve të cilat Evropa Qendrore ka besuar se mund t`ua imponojë njerëzve në Evropën Juglindore që t`i bëjnë strukturat dhe vendimet e tyre. Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë kurrë më. Unë vetëm mund të bëj rekomandime. Unë nuk mund dhe nuk dua të përcaktoj se cilat prioritete po i vendosin dhe si të veprojnë ata. Rekomandimi im është të flas për çështje konstruktive për të ardhmen e bashkëpunimit midis gjashtë shteteve të Evropës Juglindore dhe për mundësitë për të gjithë përmes sundimit të ligjit, investimeve, mundësive arsimore dhe vendeve të punës. Po, edhe unë e përjetoj që ndonjëherë është e vështirë për fqinjët të flasin me njëri-tjetrin fare. Për këtë arsye jam i lumtur që të paktën flitet. Është më mirë të flitet për tema të dorës së dytë apo edhe të gabuara, se sa të mos flitet fare me njëri-tjetrin. Kjo është sikurse në jetën ndërpersonale.
albinfo.ch: Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë ndërprerë. Si e shihni Ju zgjidhjen për këtë?
Lukas Mandl: Bisedimet duhet të rifillojnë. Unë nuk kam mirëkuptim për këto lojëra. Këto gjëra u kushtojnë qytetarëve të të dyja vendeve kohë të çmuar dhe shanse jetësore.
albinfo.ch: Shumë shqiptarë jetojnë në Austri. Si e shihni gjendjen e shqiptarëve (ose kosovarëve) në Austri dhe sa janë të integruar ata në shoqërinë këtu?
Lukas Mandl: Shumica e madhe e tyre janë shembuj të integrimit të suksesshëm. Papunësia e kosovarëve në Austri është për shembull më e ulta midis të gjitha grupeve të njerëzve me prejardhje migrimi. Pra, në përmasa të mëdha, ka njerëz shumë punëtorë që japin një kontribut të madh në shoqëri; jo vetëm përmes punës, por natyrisht edhe nëpërmjet angazhimit social.
albinfo.ch: Shumë prej tyre janë qytetarë austriakë. A prisni prej tyre vota dhe pse duhet të votojnë për ju?
Lukas Mandl: U kërkoj të gjithë atyre që kanë të drejtë votimi në Austri që duke shprehur besimin e tyre të japin votën preferenciale që funksionon duke votuar tek emri “Mandl” në fletëvotim. Jam mirënjohës që në këtë intervistë unë kam qenë në gjendje të prezantoj punën time të mëparshme dhe gjithashtu ofertën time për të ardhmen. Mendoj se ofroj arsye të mira për një votë preferenciale për një të ardhme të mirë për Austrinë dhe për të gjithë Evropën, përfshirë këtu edhe Evropën Juglindore dhe Kosovën, e cila ka qenë shumë e dashur për mua gjatë viteve.
albinfo.ch: Faleminderit zoti Mandl dhe ju urojmë fat të mirë!
Faleminderit!
Kurti nesër merr pjesë në përurimin e rrugëve Dragash-Brod d...
Përveç rezultateve negative, Manchester United i del një pro...
Simeone trajneri i muajit në La Liga
ShBA e shqetësuar që KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe
Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i bie të fikët në pro...
Arteta i shqetësuar pas lëndimit të Sakas, futbollisti prite...