Google ADS

Erë populizmi në Suedi! E djathta ekstreme trondit ekuilibrat e politikës

00:34 | 10 Shtator 2018
Trina Galanxhi

Partia nacionaliste anti-imigracion në Suedi duket se po shkon drejt një fitoreje historike në zgjedhjet e përgjithshme të vendit, duke bërë që në gadishullin nordik të fryjë erë populizmi, teksa partitë e vjetra kanë shënuar rënie në elektorat.

Edhe pse jemi ende në kuadrin e fitores hipotetike të përcaktuar nga exit-pollet pasi vetëm pak ka që janë mbyllur qendrat e votimit, Demokratët e Suedisë (SD) pritet të arrijnë 19.2% të votave.

Partia, e përshkruar nga kryeministri Stefan Lofven si “raciste”, kishte arritur 12.9% të votave në zgjedhjet e mëparshme, por me rritjen e frustrimit të suedezëve ndaj emigrantëve të ardhur së fundmi në vend, populistët pritet të bëjnë hapin e madh në parlament.

As social-demokratët qeverisës as blloku i partive të qendrës së djathtë nuk parashikohen të fitojnë shumicën në këto zgjedhje.

Një sondazh i dalë nga transmetuesi publik SVT përcakton se Aleanca e qendrës së djathtë fiton 39.6% të votave, pak më shumë se Social Demokratët, rreth 39.4%.

Kryetari i SD, Jimmie Akesson, ka argumentuar se numri i madh i migrantëve të marrë nga Suedia përbën krim dhe vendos sistemin e mirëqenies në rrezik. Ndërkohë Lofven ka akuzuar SD për ekstremizëm dhe ka thënë se vota për ta është e rrezikshme për Suedinë.

Por kush janë demokratët e Suedisë?

SD ishte lidhur për vite me neonazistët dhe grupet e tjera të ekstremit të djathtë, ndërsa në parlament ka hyrë vetëm në vitin 2010. Partia ka punuar për të rimarrë vetveten, duke ndryshuar logon e saj nga një pishtar i zjarrtë (i ngjashëm me atë të përdorur nga Front National në Mbretërinë e Bashkuar) në një daisy blu dhe të verdhë, me ngjyrat e flamurit suedez.

Tradicionalisht tërheqëse për burrat e klasës së punës, ajo dëshiron të tërheqë më shumë gra dhe me të ardhura të larta.

Kreu i saj Akesson thotë se ka zero tolerancë ndaj racizmit në parti dhe disa anëtarë janë dëbuar, megjithatë, partia ende ka qenë e përfshirë në skandale të ndryshme të racizmit. Një kandidat komunal ndau një këngë në Facebook me tekstin “Suedezët janë të bardhë dhe vendi është i yni”, sipas një raporti në tabloidin Aftonbladet.

Ekonomia e Suedisë po lulëzon, por shumë votues janë të shqetësuar se shërbimet e strehimit, kujdesit shëndetësor dhe mirëqenies janë nën presion nga vala e emigrimit. Suedia ka marrë një rekord prej 163,000 azilkërkuesish në 2015, ndërsa partitë tradicionale të Suedisë kanë ngurtësuar tonin e tyre për të pasqyruar shqetësimet rreth integrimit.

Shumë votues janë gjithashtu të shqetësuar për dhunën. SD lidh rritjen e agresionit me emigracionin në rritje, megjithëse shifrat zyrtare nuk tregojnë korrelacion. SD gjithashtu dëshiron të largohet nga Bashkimi Evropian dhe ka propozuar një referendum “Swexit”, por partitë e fuqishme qendrore e kundërshtojnë një votim të tillë, kështu që nuk ka gjasa të arrihet./gsh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme