Erdogan vizitë në Vatikan, masa të jashtëzakonshme të sigurisë

11:58 | 4 Shkurt 2018
Arbresh.info
Në Romë duke nisur nga dita e sotme e deri në largimin e Presidentit Erdoğan në qytet do të jenë në detyrë 3.500 forca të sigurisë
Masat e sigurisë janë rritur në nivelin më të lartë në Romë për shkak të vizitës zyrtare dyditore të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në Vatikan, me ftesë të Papa Françeskut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare italiane të lajmeve ANSA, për shkak të vizitës zyrtare dyditore që fillon sot të Presidentit Recep Tayyip Erdoğan në kryeqytetin e Italisë, Romë, janë marrë masa të jashtëzakonshme të sigurisë.

Në Romë duke nisur nga dita e sotme e deri në largimin e Presidentit Erdoğan në qytet do të jenë në detyrë 3.500 forca të sigurisë.

Në kuadër të masave të sigurisë disa rrugë në kryeqytet do të jenë të mbyllura për trafikun, ndërsa forcat e sigurisë janë duke kryer përpjekje që të jenë të sigurta rrugët ku do të kalojë autokolona e presidentit të Turqisë, të cilat janë pajisur me sisteme të kamerave dhe ndiqen në çdo moment.

Gjatë vizitës së Presidentit Erdoğan do të jenë të angazhuar edhe njësitë NBCR të cilat janë të trajnuara kundër rreziqeve “bërthamore, biologjike dhe kimike”.

– “Zona e Gjelbër” në Romë

Ndërsa sipas “La Repubblica”, një prej gazetave kryesore në Itali, krahas 3.500 forcave të sigurisë dhe njësive NBRC në Romë është formuar edhe “Zona e Gjelbër”, ku në këtë kuadër gjatë vizitës së Erdoğan në Romë nuk do të lejohet asnjë protestë dhe në këtë mënyrë do të parandalohen provokimet e mundshme të organizatës terroriste PYD/PKK dhe veprimet e paligjshme.

Në Vatikan pas 59 vitesh për herë të parë zhvillohet një vizitë në nivel presidencial nga Turqia, ku në kuadër të kësaj vizite, Erdoğan pas takimit me Papa Françeskun do të takohet edhe me sekretarin e shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin.

Pas vizitës në Vatikan, Erdoğan do të takohet në Romë me Presidentin e Italisë, Sergio Mattarella dhe me kryeministrin e vendit, Paolo Gentiloni./ajmi.net/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme