Erdoğan: Turqia u kushton rëndësi të madhe qetësisë dhe mirëqenies së të gjithë shteteve të Gjirit

01:19 | 8 Dhjetor 2021
Trina Galanxhi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se Turqia i kushton rëndësi të madhe qetësisë dhe mirëqenies së të gjithë shteteve të Gjirit, përfshirë Katarin, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan vizitoi selinë e Komandës së Forcave të Përbashkëta Turqi-Katar në kryeqytetin e Katarit, Doha, ku mbajti fjalim para ushtarëve.

“Turqia i kushton rëndësi të madhe qetësisë dhe mirëqenies së të gjithë shteteve të Gjirit përfshirë Katarin”, tha ai, duke theksuar se përpiqen të avancojnë bashkëpunimin e tyre me vendet e Gjirit mbi bazën e interesit dhe respektit të ndërsjellë.

“Pavarësisht nga origjina, medhhebi apo natyra, të gjithë popujt e Gjirit janë vëllezërit tanë të vërtetë”, theksoi ai.

Duke folur në lidhje me zhvillimet ekonomike në vendin e tij, Erdoğan tha se “Katari ka qëndruar gjithmonë pranë nesh në sulmet spekulative kundër ekonomisë turke dhe ka treguar besimin ndaj vendit tonë”.

“Edhe ne gjithashtu ofrojmë mbështetjen e nevojshme për vëllezërit tanë nga Katari, të cilët kontribuojnë në rritjen e Turqisë të orientuar në investime, punësim prodhim dhe eksport”, tha presidenti turk, duke shtuar se “Nuk e ndajmë sigurinë dhe stabilitetin e Katarit nga ai i vendit tonë”.

Erdoğan më parë u takua me Emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani, me të cilin më pas morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të 12 marrëveshjeve në sfera të ndryshme.

Erdoğan dje arriti në Katar, ku qëndron në një vizitë dyditore me ftesë të Al-Thanit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme