Google ADS

Erdoğan: Turqia e vendosur për të rritur bashkëpunimin me vendet afrikane

22:38 | 27 Shkurt 2019
Arbresh.info

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se vendi i tij është i vendosur për të rritur bashkëpunimin me Çadin dhe vendet e tjera afrikane, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me homologun e tij nga Çadi, Idriss Deby Itno, presidenti Erdoğan tha se vëllimi aktual tregtar midis Çadit dhe Turqisë duhet të rritet në 100 milionë dollarë.

“Vëllimi ynë tregtar aktualisht është rreth 60 milionë dollarë. Është një shifër shumë e ulët. Ne kemi një popullsi prej 82 milionë dhe Çadi ka 15 milionë, që së bashku bëhen 97 milionë. Kjo tregon se sa i ulët është vëllimi tregtar. Ne tani jemi angazhuar për të rritur vëllimin tregtar në 100 milionë dollarë”, deklaroi Erdoğan.

Më tej, Erdoğan tha se ata kanë inkurajuar sektorin privat për të zhvilluar tregtinë dhe për të rritur investimet me Çadin. Ai po ashtu falënderoi homologun e tij, Itno, për mbështetjen që u dha sipërmarrësve turq.

Ai shtoi se Turqia do të rrisë numrin e fluturimeve drejt Çadit nga dy në tre fluturime në javë.

Presidentit i Çadit, nga ana e tij, u zotua për rritjen e vëllimit tregtar midis dy vendeve, me qëllim, siç tha ai, “për të arritur një nivel që na përshtatet”.

Duke e përshkruar takimin e tij të sotëm me presidentin Erdoğan “jashtëzakonisht të suksesshëm”, Itno tha se ata diskutuan mënyrat për të zgjeruar bashkëpunimin në sektorë të ndryshëm.

“Ne kemi rastin dhe mundësitë për ta bërë këtë, na duhet vetëm guximi për të marrë hapat e nevojshme. Mendoj se mund t’i shfrytëzojmë këto mundësi me përvojën e Turqisë, njohuritë e saj dhe aftësitë e kompanive turke”, deklaroi Itno.

Ai po ashtu theksoi se Çadi është i vetëdijshëm për potencialin ekzistues midis dy vendeve dhe shtoi se marrëveshja e re e sapo nënshkruar e bashkëpunimit do të forcoj marrëveshjet e mëparshme dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, bujqësisë dhe industrisë.

Që dje, presidenti i Çadit qëndron për vizitë treditore zyrtare në Turqi me ftesë të homologut të tij turk.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme